spot_img
spot_img
Friday, December 19, 2025
spot_img
spot_img

Vetëm demokracia mund t’i japë fund kërcënimit bërthamor të Iranit

Për shkak të Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, Irani ka kaluar thuajse 4 dekada në konflikt me Izraelin, të cilin e quan një “kancer” në rajon që duhet të shkatërrohet. Pa ndryshimin e regjimit nga populli i Iranit, s’mund të ketë stabilitet dhe zhvillim afatgjatë atje dhe në rajon.

Sipas një aforizmi të lashtë iranian, kur një i çmendur hedh një gur në një pus, duhen 10 burra dhe gra të mençura për ta nxjerrë prej andej. I çmenduri, ishte Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, aktualisht i izoluar për shkak të sulmeve të masive të Izraelit. Dhe tani shumë njerëz në Iran dhe në mbarë botën, po përpiqen ta shpëtojnë pusin. Për shkak të Khameneit, Irani ka kaluar thuajse 4 dekada në konflikt me Izraelin, shtetin që ai e quan si një “kancer” në rajon që duhet të shkatërrohet. Njëherazi, regjimi arriti të shmangte një përballje të padëshiruar nga populli i Iranit, por edhe të pajustifikuar në raport me interesin kombëtar.

Sundimtarët e Iranit, mund të mbështeteshin tek blofet dhe vetë-mburrjet, tek milicitë përfaqësuese si Hezbollahu, Hamasi në Gaza apo regjimi i Assadit në Siri, tek ngurrimi i shumë izraelitëve për të rrezikuar fillimin e një lufte në shkallë të plotë, por edhe tek aftësia për ta përdorur programin bërthamor për të fituar lëshime nga fuqitë perëndimore. Kjo deri disa ditë më parë. Regjimi kishte shumë shenja paralajmëruese në lidhje me dobësinë e tij të madhe brenda vendit dhe izolimin në rajon. Pastaj ndodhi rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, shkatërrimi brutal por efikas nga ana e Izraelit i Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në Gaza, kolapsi ekonomik – i dukshëm tek zhvlerësimi i madh i monedhës, greva e kamionistëve dhe mungesa e ndjeshme e gazit dhe energjisë elektrike – dhe një valë në rritje e mosbindjes civile të grave, për shkak të mbulimit të detyruar të fytyrës dhe trupit me shami.

Por në vend se ta zbutnin qëndrimin e tyre, udhëheqësit e Iranit përdorën manualin e tyre të vjetër të trukeve: mburrje bombastike, se ishin në gjendje të ndërtonin një bombë bërthamore, ndërsa nga ana tjetër këmbëngulnin se programi i tyre bërthamor, s’kishte pasur kurrë ndonjë element ushtarak. Po ashtu, ata humbën shumë kohë me pyetjen qesharake, nëse negociatat me administratën Trump për një marrëveshje të re mbi programin bërthamor, duhet të ishin “të drejtpërdrejta” apo “të tërthorta”. Tek e fundit, Khamenei kishte deklaruar prerë se nuk duhet të kishte bisedime të drejtpërdrejta me “Satanin e Madh”.

Ndërsa në labirintin e tij të vetëmashtrimit, regjimi nuk arriti ta kuptonte shkallën e dobësisë së tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu veproi ndryshe. I përballur me një kor në rritje izraelitësh, që kërkonin t’i jepej fund katastrofës humanitare që nxiti në Gaza, Netanyahu e gjeti momentin e duhur për të nisur një sulm të shumëpritur dhe të përgatitur me kujdes.

Infiltrimi i jashtëzakonshëm i Izraelit në aparatin e sigurisë së Iranit, i dha atij mundësinë të shkatërronte mbrojtjen iraniane brenda një kohe të shkurtër, teksa vetëm në 2 ditët e para të sulmeve u vranë dy të tretat e komandantëve më të lartë ushtarakë dhe të shërbimeve sekrete. Dhe qëllimisht ose jo, oferta e Trumpit për të negociuar, duket se e futi regjimin në një gjendje vetëkënaqësie. Regjimi dhe mbështetësit e tij ideologjikë, kanë fajësuar vazhdimisht të tjerët, veçanërisht Perëndimin, Izraelin dhe Arabinë Saudite, për çdo dështim që kanë pasur.

Sigurisht, secili prej këtyre të fundit ka bërë ndonjëherë gabime të rënda. Dhuna e vazhdueshme e Izraelit në Gaza kundër palestinezëve të pafajshëm – të cilët, ashtu si iranianët, janë pengje të një ideologjie radikale nihiliste – është një shembull konkret. Edhe Netanyahu ka helmuar një pus, që do të duhet ta shpëtojnë të tjerët me shumë mençuri dhe maturi. Ashtu si në rastin e palestinezëve, duhet të mbrohet edhe jeta e qytetarëve të pafajshëm iranianë. Populli i Iranit dhe aspiratat e tij demokratike, janë shpresa e vetme për ndryshimin e regjimit.

Izraeli, SHBA-ja ose Rusia, nuk mund dhe s’duhet të përcaktojnë të ardhmen e Iranit. Megjithatë Perëndimi dhe Izraeli, kanë nevojë për një strategji të qartë, afatshkurtër dhe afatgjatë, për të çuar përpara këtë qëllim. Një strategji e tillë, duhet të përfshijë një ndalim të menjëhershëm të dhunës kundër civilëve. Sigurisht, ashtu si Hamasi në Gaza, regjimi në Iran ka ngritur shumë instalime ushtarake dhe qendra pasurimi në lagjet e banuara. Të nxisësh 14 milionë qytetarët e Teheranit të evakuohen, që Izraeli t’i shkatërrojë këto objekte, do të thotë të përdorësh një kurë, e cila është më e keqe se sëmundja.
Nga ana tjetër, çdo marrëveshje me këtë regjim brutal dhe hipokrit, do të prishet sapo udhëheqësit e tij ta besojnë se janë çliruar nga gjendja e tyre aktuale. Ndaj e vetmja zgjidhje për enigmën bërthamore të Iranit, është një Iran demokratik, gjë që nënkupton mbështetje për zërat demokratikë brenda Iranit, të ndihmuar nga zërat në diasporën iraniane.

Më shumë se 10 vjet më parë, unë dhe kolegu Siegfried Hecker, shkruam një artikull, ku sugjeronim që Irani, duke filluar që me Shahun në vitet 1970, duhet të kishte ndjekur shembullin e Koresë së Jugut, dhe të kishte hequr dorë nga uraniumi i pasuruar në nivel të lartë, në favor të teknologjisë bërthamore për qëllime civile.

Ne argumentonim se pasurimi i uraniumit, vetëm sa ngjall dyshime rreth qëllimeve paqësore të një programi bërthamor. Nuk mund të parashikohet se si një shoqëri demokratike, mund ta trajtojë një çështje kaq të ndërlikuar, madje edhe në kohët më të mira. Por këtë debat mund ta zgjidhë vetëm një Iran demokratik.

Pa ndryshimin e regjimit nga populli i Iranit, s’mund të ketë stabilitet dhe zhvillim afatgjatë atje dhe në rajon. Shoqëritë demokratike, kanë shumë më tepër gjasa të zgjedhin atë që Aristoteli e quajti dikur Mesatarja e Artë, duke kërkuar terrenin e mesëm midis ekstremeve.

Në çdo rast, Irani, një shembull rajonal për shekullin e kaluar, ku mosha mesatare e popullsisë është vetëm 32 vjeç, nuk mund të mos përfitojë nga fundi i një regjimi të zhytur në dogmatizmin e një kabale shekullore.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit