Presidenti Donald Trump ka deklaruar sot se administrata e tij do të kërkojë dënimin me vdekje për të gjitha rastet e vrasjeve që kryhen në kryeqytetin amerikan.
“Kushdo që vret në kryeqytet, do të përballet me dënimin kapital. Dënim kapital për krime në kryeqytet. Kjo është e vetmja mënyrë për ta ndalur dhunën,” tha Trump gjatë një takimi me kabinetin e tij.
Ai e përshkroi këtë politikë si një “masë shumë të fortë parandaluese”, duke shtuar: “Nuk e di nëse vendi është gati për këtë… por s’kemi rrugë tjetër.”
Propozimi i Trump ngre pyetje të shumta ligjore dhe kushtetuese. Ëashington, DC nuk ka ligj për dënimin me vdekje, por ndryshe nga shtetet e tjera amerikane, ndjekjet penale për vrasjet në kryeqytet kryhen nga Prokuroria e SHBA-së, një organ federal i emëruar nga presidenti.
Kjo do të thotë se administrata federale mund të përdorë juridiksionin e saj për të kërkuar ekzekutime, edhe pse ligji vendor i DC-së nuk e parashikon një masë të tillë.
Analistët ligjorë thonë se vendimi mund të çojë në përplasje të forta mes pushtetit federal dhe autoriteteve të District of Columbia, të cilat tradicionalisht kanë kundërshtuar dënimin me vdekje.
Aktivistët për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se kjo është një përpjekje për të rikthyer një praktikë të braktisur në shumë shtete, duke minuar tendencën kombëtare drejt reduktimit të ekzekutimeve.
Nga ana tjetër, përkrahësit e Trump e shohin si një mesazh të fortë kundër rritjes së dhunës në qytet, ku statistikat e krimeve me armë dhe vrasjeve janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.










