E gjithë bota po pret me ankth atë se çfarë po ndodh mes Izraelit dhe Iranit. Presidenti amerikan Donald Tump po mendon të bëhet pjesë e ofensivës dhe ka shumë nga ata që mendojnë se kjo do të sjellë përshkallëzim të situatës.
Po ashtu është folur se dhe Shqipëria është një vend, i cili është shpallur “armik” nga Irani. Mos harrojmë se ne kemi dëbuar ambasadorin iranian dhe e mbyllëm ambasadën e tyre pas sulmit kibernetik. Nga ana tjetër, vendi ynë është përmendur dhe nga vetë Lideri Suprem Al Khamenei.
Në vitin 2020, SHBA kreu një operacion në Bagdad ku vrau një gjeneral të lartë iranian dhe 7 të tjerë. Ngjarja solli shumë reagime dhe në fjalimin që mbajti Al Khamenei përmendi dhe vendin tonë.
“Ekziston një vend i vogël dhe djallëzor në Evropë, ku amerikanët po bashkëpunojnë me tradhtarët iranianë, duke komplotuar kundër Republikës Islamike. Plani i tyre ishte i qartë, me protestat që mbajtën në Iran, pasi disa nga ata tradhtarë erdhën në Iran për të protestuar. Agjentët e armikut filluan të zbatonin një plan për të sabotuar dhe shkatërruar qeverinë dhe Kushtetutën tonë”, deklaroi Al-Khamenei.
Shqipëria po u jep strehim 3200 anëtarëve të Rezistencës Iraniane, pjesë e organizatës popullore të muxhahedinëve iranianë, ose MEK.









