Kastriot Haxhiu, vëllai i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, është përfshirë mbrëmjen e së premtes në një sulm fizik në tentativë në qendër të Prishtinës.
Në gjendje te dehur, Haxhiu, punonjës i Telekomit të Kosovës, ka tentuar t’i sulmojë fizikisht punëtorët e një lokali në rrugën e njohur si “Te Kafet e Rakisë”.
Haxhiu ishte futur në gjendje të dehur në njërën prej kafeve të rakisë duke iu vërsulur punonjësve të lokalit (kamerierëve) për t’i sulmuar.
Viktimat e kishin shmangur sulmin. Pronari i lokalit, I. B. kishte qetësuar situatën, derisa Haxhiu ishte përcjellë për në shtëpi, raporton Paparaci.
Pak më vone vëllai i kryeparlamentares Haxhiu ishte gjetur i shtrirë në rrugën “Qamil Hoxha”në gjendje të dehur pak metra pas lokalit ku kishte ndodhur ngjarja dhe ishte transportuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Pasi e kishte marrë veten, Haxhiu ishte munduar ta mbulojë rastin duke u paraqitur si viktimë, mirëpo pas ekzaminimeve të kryera në QKUK, i njëjti kishte rezultuar se nuk ka lëndime të ndonjë sulmi fizik.
Përpos ekzaminimeve mjekësore, Haxhiut i ishte bërë edhe alkool-testi. Ai kishte rezultuar i dehur.
Si palë e denoncuar, pronari i kafenesë, I.B., ishte thirrur në polici, në stacionin Qendra. Ai ka dhenë një version krejtësisht tjetër. Ka treguar se Haxhiu kishte tentuar t’ia sulmonte djalin, nipin dhe një punëtor tjetër në vendin e punës.
Pas kësaj deklarate, dhe dëshmive të dëshmitarëve Haxhiu e kishte pranuar se nuk është sulmuar, por ishte rrëzuar.
Kjo nuk është hera e parë që vëllait të Albulena Haxhiut ‘i del punë’ me Policinë e Kosovës. Në nëntor të vitit 2023, Kastriot Haxhiu kishte shkaktuar një aksident trafiku me automjetin e Telekomit të Kosovës dhe i njëjti ishte larguar nga vendi i ngjarjes.









