Është ndarë nga jeta Sylejman Havolli, ish-futbollist i Flamurtarit dhe gjyqtar i futbollit në Kosovë gjatë viteve ’90-ta.
Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit e Kosovës, e cila ka shprehur ngushëllime për familjen Havolli, të afërmit, miqtë dhe komunitetin sportiv.
Havolli i përkiste gjeneratës së futbollistëve që lanë gjurmë te Flamurtari. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai vazhdoi angazhimin në futboll si gjyqtar gjatë viteve ’90-ta.
Në atë periudhë, ai dhe shumë gjyqtarë e punëtorë të tjerë sportivë kontribuan në zhvillimin e garave të futbollit në Kosovë, pavarësisht kushteve të vështira nën okupim.
FFK ka vlerësuar përkushtimin dhe kontributin e Havollit në futbollin kosovar, fillimisht si futbollist e më pas si gjyqtar.
“Kontributi i Sylejman Havollit, fillimisht si futbollist e më pas si gjyqtar, do të mbetet pjesë e kujtesës së futbollit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Sylejman Havollin.








