Një aksident i rëndë trafiku që kishte ndodhur më 5 prill në Podujevë ka përfunduar me fatalitet, pasi një i ri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Bëhet fjalë për Meriton Kopranin (22-vjeçar) nga Prishtina, i cili ka ndërruar jetë më 11 prill rreth orës 20:00, pas disa ditësh trajtimi në QKUK.
Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 17:45 në fshatin Llugë, te varrezat e Bulliqëve, ku ishin përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.
Sipas informatave, në aksident janë përfshirë një veturë e tipit Hyundai, e drejtuar nga Rigon Sekiraqa (26-vjeçar), dhe një motoçikletë e tipit Yamaha, në të cilën ndodheshin Rinor Brahimi (2002) dhe tani i ndjeri Meriton Koprani.
Fillimisht nuk ishte e qartë se kush kishte qenë drejtuesi i motoçikletës, mirëpo pas hetimeve është konfirmuar se motoçikletën e drejtonte Rinor Brahimi.
Si pasojë e përplasjes, të tre personat kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar për trajtim në QKUK në Prishtinë.
Koprani, i cili kishte pësuar lëndimet më të rënda si pasagjer në motoçikletë, ishte hospitalizuar në Klinikën e Mjekimit Intensiv, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Rasti është në hetim.









