Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur Behlul Jashari, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në gazetari dhe informimin e publikut.
Përmes një komunikate, AGK ka thënë se Jashari i kushtoi mbi pesë dekada profesionit të gazetarit, duke lënë gjurmë në gazetën Rilindja, si kryeredaktori i parë i gazetës së rezistencës Bujku, si dhe përmes raportimeve të tij për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
AGK ka shtuar se ai do të kujtohet për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë edhe periudhën e luftës.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar Behlul Jashari”, thuhet në komunikatë.
Tutje, AGK ka vlerësuar se kontributi i Jasharit në mbrojtjen e së drejtës për informim dhe në dokumentimin e historisë së Kosovës do të mbetet pjesë e trashëgimisë gazetareske në vend.
Në fund, Asociacioni u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, kolegëve, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve.








