Kremlini tha se ishte “i tronditur” nga vdekja e papritur e ish-ministrit rus të Transportit, Roman Starovoit, lajmi për të cilin u bë i ditur vetëm disa orë pasi ai u shkarkua nga Presidenti Vladimir Putin.
Starovoit u gjet i vdekur në makinën e tij jashtë Moskës me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit dhe dyshimi fillestar është se ai kreu vetëvrasje, njoftuan dje hetuesit shtetërorë.
I pyetur për vdekjen e Starovoit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Presidenti Putin ishte informuar për incidentin dhe e përshkroi atë si “tragjik dhe të trishtueshëm”.
Peskov refuzoi të spekulonte mbi shkaqet e vdekjes së ish-ministrit, duke përmendur hetimin që është në vazhdim.
“Nuk ka si të mos i shokojë njerëzit e zakonshëm. Kuptohet, na tronditi edhe ne. Një hetim është duke u zhvilluar. Dhe është ky hetim që do t’u japë përgjigje të gjitha pyetjeve”, tha Peskov.
Dekreti presidencial që shkarkonte Starovoit, i publikuar dje, nuk dha asnjë arsye për shkarkimin e ministrit pas vetëm një viti në detyrë, megjithëse analistët politikë nxituan të ngrinin supozime që ai të jetë shkarkuar në lidhje me një hetim për korrupsion në rajonin që ai dikur drejtonte.
Përpara se të emërohej ministër i Transportit në maj 2024, Starovoit ishte guvernator i rajonit Kursk për gati pesë vjet.
Reuters nuk mundi t’i konfirmonte në mënyrë të pavarur këto akuza, megjithëse një burim nga industria e transportit, i cili nuk pranoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se pozicioni i Starovoit kishte qenë në pikëpyetje për muaj të tërë për shkak të pyetjeve në lidhje me të njëjtin skandal korrupsioni, i cili përqendrohej në fondet e destinuara për të forcuar kufirin e Rusisë me Ukrainën në rajonin e Kurskut.






