Një punëtor 54-vjeçar ka humbur jetën të hënën në një objekt në ndërtim në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj. Gazeta Insajderi ka mësuar se viktima ishte punëtor i kompanisë së ndërtimit “Hansi SHPK”, e cila po kryente punime në objektin banesor “Endriti EEA”.
Lidhur me rastin, njëri nga pronarët e kompanisë “Hansi SHPK” është ndaluar për 24 orë, mëson Insajderi.
Përfaqësuesi i kompanisë “Endriti EEA”, e cila kishte kontraktuar kompaninë e ndërtimit, ka deklaruar për Insajderin se viktima nuk ishte punëtor i tyre.
“Unë jam punëdhënësi. Ai nuk ka qenë punëtor i imi. Nuk di diçka më shumë. Prej përfshesës ka rënë në bodrum, më shumë nuk e di. Punëtori është i kompanisë së ndërtimit. ‘Endriti’ është e imja, ata kanë qenë kompani e kontraktuar nga unë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, nga kompania “Hansi SHPK” nuk kanë pranuar të komentojnë rastin, duke thënë se janë të zënë me të.
“Jemi të zënë me telashet tona”, tha shkurt për Insajderin njëri nga pronarët.
Lajmin për vdekjen e punëtorit e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas tij, rasti ka ndodhur rreth orës 15:40, ndërsa dyshohet se gjatë punimeve ndërtimore, 54-vjeçari është rrëzuar nga kati përdhes në bodrum.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e tij.
Veseli ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, ndërsa janë njoftuar edhe inspektorët e punës. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit janë në zhvillim.








