Ka vdekur në moshën 79-vjeçare ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.
Pas lajmit për vdekjen e tij, në Kosovë kanë reaguar drejtues të institucioneve dhe krerë të partive politike, duke e vlerësuar Engel si mik të madh dhe përkrahës të palëkundur të vendit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Kosova humbi një mik të dëshmuar dhe përkrahës të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë.
“Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviq, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Kryeministri i vendit e ka kujtuar kontributin e madh të ish-zyrtarit të lartë amerikan në mbrojtjen e çështjes së Kosovës.
Në profilin e tij në Facebook, Kurti ka shkruar se Engel ishte ndër zërat e hershëm dhe të palëkundur në mbështetje të Kosovës
“Dje mori rrugën e amshimit miku i madh i kombit tonë dhe kongresmeni i shquar Eliot Engel. Për më shumë se tri dekada në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ai ishte një shërbyes i përkushtuar i qytetarëve amerikanë dhe një zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut. Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Ai ishte ndër zërat e hershëm dhe të palëkundur në mbështetje të Kosovës, në ditët kur drejtësia për popullin tonë kërkonte guxim dhe vendosmëri”, ka shkruar Kurti, duke i kujtuar takimet me kongresmenin.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se Engel qëndroi pranë Kosovës në kohën kur “po shkruhej historia”.
“Ai ishte zëri i drejtësisë për ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqësia dhe kontributi i tij nuk do të harrohen kurrë”.
Tutje, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shprehu ngushëllime familjes, popullit amerikan dhe qytetarëve të Kosovës për humbjen e mikut të madh, kongresistit Eliot Engel.
“Marrëdhënia e tij e veçantë me Presidentin Ibrahim Rugova dhe mbështetja e palëkundur ndaj vizionit të tij për Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike përbëjnë një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin tonë politik e shtetëror. Në vitin 2004, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të paçmueshëm, Presidenti Rugova e kishte dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Engel ishte një “mik i vërtetë i shqiptarëve” që qëndroi me Kosovën “në ditët më të errëta dhe ditët më të mira”.
“Zëri i tij ndihmoi në formësimin e rrugës sonë drejt lirisë”, shkroi ai në X.
Ambasada e Kosovës në SHBA u shpreh thellësisht e trishtuar nga ndarja nga jeta e Eliot Engel.
“Ai qëndroi pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i shquar i Kongresit, por si një mik i vërtetë që kujdesej për popullin tonë”.
Veprimtari i Kosovës në SHBA, Harry Bajraktari, kujtoi se Engel ishte mik i pazëvendësueshëm i kombit shqiptar dhe një nga më meritorët që sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, si dhe Shqipëria demokratike e pjesë e NATO-s.
“Për mua personalisht, Eliot Engel ka qenë si vëlla i imi dhe miku im më besnik në betejat tona për Kosovën. Që nga dita e parë, në vitin 1989, kur trokita në derën e zyrës së tij për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën, por edhe zemrën e tij për popullin shqiptar”, ka shkruar Bajraktari.
Engel ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008. Si kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, ai ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor.
Ai u shqua për mbështetjen e tij të palëkundur ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar, ndërsa trashëgimia e tij mbetet ajo e një udhëheqësi me parime të forta, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe partneritetit ndërkombëtar.









