Vazhdon rrëfimi i ushtarit të “COBRA”-ve: Ja si nisën sulmet e para në Koshare – këta ishin tre luftëtarët e parë që hynë brenda kazermës

Pas pjesës së parë, sot vijojmë me pjesën e dytë të rrëfimit të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arif Maloku, bashkëluftëtar i Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt.

Maloku, i cili luftën e zhvilloi kryesisht në Koshare, tregon se plagët e marra gjatë luftimeve kërkonin trajtim të mëtejmë mjekësor.

Ai rrëfen se, posa kishte kaluar në territorin e Shqipërisë, me lejen e Agim Ramadanit, kishte vazhduar trajtimin mjekësor dhe më pas, me kërkesë të Agimit, ishte paraqitur në njësinë “COBRAT”.

Sipas tij, ishte ftuar personalisht nga Agim Ramadani përmes telefonit që të paraqitej në repartin ushtarak në Babinë, ku kishte shkuar menjëherë. Aty ishte në mesin e disa komandantëve dhe ushtarëve që shprehnin dëshirën ta kishin në njësitë e tyre.

“Por, unë prisja të arrinte Agimi dhe të merrja detyrën nga ai. Me të arritur Agimi më drejtohet: ‘Ti që ke hy si ujku në mesin e deleve, a e din ku e ki vendin? Dua me të pa sa më shpejt lart’, kështu më tha Agimi”, vazhdon rrëfimin veterani invalid i luftës së UÇK-së, Maloku për GazataKosova.net

Po atë natë, ai ishte nisur së bashku me një grup ushtarësh, në këmbë, drejt Qendrës Stërvitore në Papaj, ku kishin arritur rreth orës 23:00.

“Në Papaj kam kaluar një natë. Të nesërmen në mëngjes më ka ftuar Agimi në zyrë. Nga unë ka dashur mendimin rreth terrenit dhe një prezantim në hartën topografike, pasi që isha shumë i njohur me terrenin ku pritej të thyhej kufiri. Ditën e kemi kaluar së bashku dhe në mbrëmje kanë arritur Albert Kuqi dhe Demush Gacaferri për të më marrë, dhe jemi nisur menjëherë për në Padesh. Në Padesh kam kuptuar se komandant i ‘COBRAVE’ është Naser Vllasi, ku kam qenë i mirëpritur, pasi që Agimi paraprakisht e kishte njoftuar Naserin për mua. Menjëherë të nesërmen kam marrë detyrat për vëzhgimin e terrenit, ku njëkohësisht, përmes këtyre vëzhgimeve, përpilohej dhe kompletohej plani operativ për thyerjen e kufirit. Vëzhgimet kanë vazhduar në mënyrë sistematike, pa ndërprerë, pa u hetuar nga armiku dhe duke ruajtur sekretin për punën që bënim”, rrëfen ai.

Ai flet me krenari për rolin e njësisë së tyre dhe informacionet që posedonin.

“Ne, ‘COBRAT’, gjithmonë ishim një hap përpara, për vetë faktin se, bashkë me komandantin e ri Naserin, na ishte besuar realizimi i vëzhgimeve. Më 8 prill më kujtohet se nga komandanti Agim Ramadani është kërkuar që komandant Naseri të shkojë në bazën komanduese në Padesh. Me t’u kthyer nga Agimi në bazën e ‘COBRAVE’, po ashtu në Padesh, gjegjësisht në shtëpinë e Sadikut, komandant Naseri ka kërkuar prej nesh që të përgatitemi për një ‘vëzhgim’, por kësaj radhe të përgatiteshim sikur të hynim në sulm: të pajiseshim mirë me armatimin e duhur, me municion të mjaftueshëm, granata dore, si dhe ushqim së paku për 24 orë”, vazhdon rrëfimi.

Ai thotë se menjëherë kishin filluar përgatitjet dhe, atë natë, si zakonisht, kishin dalë në roje për siguri. Sipas tij, kishte një ndjenjë të fortë se diçka e madhe po afrohej.

“Ne filluam përgatitjet dhe po atë natë, si çdo natë tjetër, dolëm në roje për siguri. Unë isha sipas orarit në roje për dy orë, mirëpo Naseri insistoi që të pushonim. Megjithatë, ne nuk kishim gjumë – kishim një parandjenjë dhe prisnim kur do të vinte urdhri për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.”

“Ne ishim pa gjumë dhe, kur ora shënoi 2:00, ne ‘COBRAT’, së bashku me Naserin, u nisëm për ‘vëzhgim’ nga shtëpia e Sadikut në drejtim të përroit. Aty u ndalëm për një kohë dhe pritëm derisa erdhi edhe një komandant me ushtarë. Më pas vazhduam në drejtim të shpatit, përpjetë përroit, ku pasi arritëm në një lartësi, dëgjuam disa zëra – aty ishte Agimi me Saliun, së bashku me ushtarët e tyre”, tregon ai.

Më tej, ai rrëfen se rreth mesditës njësia “COBRAT”, duke llogaritur edhe mbështetjen e këmbësorisë, kishte vendosur të hynte në objekt me luftime, pasi konsideroheshin më të përgatiturit.

“Derisa zhvilloheshin luftime të kombinuara, edhe me artileri të rëndë nga të dyja palët, ne i afroheshim objektit duke luftuar. Përgatitja jonë ishte aq e mirë sa i befasoi serbët.”

Sipas tij, forcat serbe nuk kishin besuar se UÇK-ja kishte njësi kaq të përgatitura.

“Andaj, nga dera e pasme e kishin braktisur objektin ushtarët serbë, por nga ana e poshtme, nëpër pozicione, vazhdonin të shtinin. Edhe nga forcat tona shtihej në drejtim të objektit, ku tashmë gjendeshim ne të tre brenda kazermës së Koshares. Vlen të cek emrat: Xaj Çela, komandanti Naser Vllasi dhe unë, Arif Maloku.”

“Për një moment, derisa u ndërpre zjarri nga forcat tona, Naser Vllasi – Cobra, doli në hyrje të objektit me beretë të kuqe në dorë, duke menduar se e kishin kuptuar që ne ishim brenda. Por menjëherë nga forcat tona u hap zjarr ndaj tij dhe në gjuhën serbe u kërkua nga Fadil Maloku – Mortaja (kushëriri im i parë) që të dorëzoheshim, sepse ata ende nuk e kishin kuptuar që ne ishim futur brenda.”

Ai shton se, falë një vrime të krijuar më herët në objekt, kishin arritur të komunikonin me Fadil Malokun – Mortaja dhe t’i njoftonin se ndodheshin brenda, ndërsa ai më pas kishte informuar edhe të tjerët. Vazhdon…

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit