Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një sërë letrash urimi nga liderë të ndryshëm ndërkombëtarë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Nga Arabia Saudite, urime i ka dërguar Kujdestari i Dy Xhamive të Shenjta, Lartmadhëria e Tij, Salman bin Abdulaziz Al Saud, si dhe Princi i Kurorës dhe Kryeministri i Arabisë Saudite, Lartësia e Tij Mbretërore, Mohammed bin Salman.
Në mesazhet e tyre, ata shprehën urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani, institucionet dhe qytetarët e Kosovës, duke dëshiruar shëndet, lumturi, progres dhe prosperitet të mëtejshëm për vendin.
Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të ngrohta dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy shteteve, duke shprehur përkushtimin për forcimin e partneritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Nga Holanda, Presidentja Osmani pranoi letër urimi nga Mbreti Willem-Alexander, i cili përgëzoi Kosovën dhe qytetarët e saj për këtë ditë të shënuar, duke vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe.
Nga Sllovenia, letra e urimit erdhi nga Presidentja Pirc Musar, e cila nënvizoi përkrahjen e vendit të saj për Kosovën dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit Bërdo-Brioni, duke e konsideruar këtë platformë një mekanizëm të rëndësishëm për dialog dhe koordinim rajonal.
Ndërkohë, Presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel, i ka dërguar gjithashtu letër urimi Presidentes Osmani. Ai përgëzoi Kosovën dhe qytetarët e saj, duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe partneritetin e konsoliduar ndërmjet dy vendeve.
Pavel rikonfirmoi mbështetjen e Çekisë për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës, duke shprehur besimin se bashkëpunimi do të vazhdojë të zhvillohet dhe të thellohet në një drejtim pozitiv, për stabilitet dhe prosperitet rajonal.










