Të paktën 69 emigrantë kanë humbur jetën, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi një varkë u përmbys në brigjet e Mauritanisë.
Shtatëmbëdhjetë persona janë shpëtuar, ndërsa kërkimet për pasagjerë të tjerë që ndodheshin në anijen që po udhëtonte drejt Ishujve Kanarie të Spanjës vazhdojnë.
Sipas të mbijetuarve, varka u nis nga Gambia gjashtë ditë para aksidentit të së martës, duke transportuar rreth 160 persona në bord, kryesisht shtetas të Gambias dhe Senegalit.
Udhëtimi i rrezikshëm mbi Oqeanin Atlantik është bërë një rrugë gjithnjë e më e zakonshme për emigrantët afrikanë që përpiqen të arrijnë në Evropë.
Gati 47,000 njerëz arritën në Ishujt Kanarie vitin e kaluar, ndërsa organizata joqeveritare spanjolle, Caminando Fronteras, vlerëson se më shumë se 9,000 emigrantë kanë humbur jetën duke u përpjekur të arrijnë në kontinentin evropian.











