Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka dalë me një njoftim për qytetarët në lidhje me temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin ditëve të fundit.
Përmes një postimi, ky institucion ka dhënë disa këshilla për të parandaluar pasojat që mund të shkaktojë nxehtësia ekstreme, veçanërisht për personat me sëmundje kronike dhe grupet e ndjeshme.
Në mesin e rekomandimeve të dhëna, përmendet rëndësia e shmangies së pijeve të gazuara dhe alkoolike, konsumimi i mjaftueshëm i ujit dhe qëndrimi në ambiente të freskëta gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 10:00 deri në 17:00.
Po ashtu, qytetarëve u rekomandohet të veshin rroba të lehta, të lirshme dhe me ngjyra të çelura, për të reduktuar efektet e nxehtësisë mbi trupin.
“Nxehtësia e lartë mund të jetë rrezik për shëndetin, veçanërisht për personat me sëmundje kronike. Informohuni dhe kujdesuni për veten dhe të afërmit tuaj”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.







