Kompania Sofag është një nga shtatë kompanitë serbe që, sipas Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse, po furnizojnë me armë Ukrainën dhe po marrin pjesë në një “rrip të organizuar vdekjeje” me qëllim “vrasjen e ushtarëve dhe civilëve rusë”.
Ndryshe nga shumica e kompanive të listuara, kjo kompani është në pronësi private të Jelena Petroviq, vajza e tregtarit më të madh të armëve në Serbi, Slobodan Teshiq, i cili është nën sanksionet amerikane për shtatë vjet. Në dy vite, të hyrat e kompanisë janë rritur për 15 herë, shkruan Nova.rs.
Zyra e shtypit e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse të enjten ka lëshuar papritur një deklaratë të ashpër në të cilën thuhet se kompanitë serbe të mbrojtjes, megjithë “neutralitetin” e deklaruar të Beogradit zyrtar, vazhdojnë të dërgojnë municion në Kiev. Ndonëse për këtë flitet prej vitesh dhe në media dhe rrjete sociale janë publikuar foto të armëve dhe municioneve serbe, kjo është hera e parë që Moska ka reaguar zyrtarisht dhe publikisht për këtë.
Kontributi i industrisë së mbrojtjes serbe në luftë, siç thanë ata, matet në qindra mijëra predha për raketahedhës të shumtë dhe obus, si dhe miliona plumba për armë këmbësorie.
“Në “Rripin e vdekjes” të organizuar në Serbi – vend mik i Rusisë – marrin pjesë kompanitë më të mëdha të industrisë vendase të mbrojtjes, duke përfshirë ‘Jugoimport SDPR’, Zenitprom, Krushik, Sofag, Reyer DTI, Sloboda, Prvi Partizan e të tjera”, thuhet në deklaratë.
Pothuajse të gjitha këto kompani janë shtetërore dhe njihen si eksportuesit më të mëdhenj të armëve, pa llogaritur Sofag. Kjo kompani është në pronësi të Jelena Petroviq, vajzës së tregtarit të famshëm të armëve Slobodan Teshiq, i cili prej vitesh është nën sanksionet e SHBA-së, me akuzën e dhënies së ryshfetit dhe ndihmës financiare në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për të siguruar kontrata armësh me vende të ndryshme.
Në dhjetor të vitit 2022, Mbretëria e Bashkuar vendosi gjithashtu sanksione ndaj Teshiqit, dhe në shpjegim thuhej se ai akuzohej për ryshfet ndaj një prokurori shtetëror nga një vend tjetër. Ai dyshohet se ka dhënë ryshfet zyrtarit të Bosnjës dhe Hercegovinës – të ndjerin Milorad Barashanin, kryeprokurorit, si dhe Selmo Cikotiqin, ish-ministrit të Mbrojtjes.
Teshiq konfirmoi një vit më parë se ai është ende në biznesin e shitjes së armëve, pavarësisht sanksioneve, dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë është përmes kompanisë së vajzës së tij.
Kompania Sofag është e regjistruar zyrtarisht për tregti me shumicë jo të specializuar. BIRN shkroi në janar të këtij viti se kompania eksportonte armë edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe se eksportet nisën në fund të vitit të kaluar. Sofag i ka shitur atij vendi armë me vlerë 12.1 milionë euro.
Nuk dihet se sa ka fituar nga eksportet në Ukrainë, por duket qartë se bëhet fjalë për një të ardhur të madhe, gjë që duket edhe nga bilancet e saj.
Kështu, në fund të vitit të kaluar kishte të hyra rreth 52.3 milionë euro, që është rreth 50 për qind më shumë se një vit më parë. Krahasuar me vitin 2022, kur u themelua kompania, diferenca është edhe më e madhe. Në atë kohë, të ardhurat e Sofag-ut arrinin në rreth 3.5 milionë euro, që është 15 herë më e ulët se në vitin 2024.
Kompania e vajzës së Slobodan Teshiqit ndodhet në Dedinje, në Koloninë Diplomatike nr. 4, dhe sipas të dhënave kadastrale, bëhet fjalë për një objekt prej 199 metrash katrorë në pronësi të shtetit të Serbisë. Ka gjasa që kjo vilë të jetë me qira nga Dipos, si dhe disa të tjera në atë lagje, shton Nova.rs.
Aty pranë është edhe selia e Fondacionit Human Heart, në të cilën Jelena Petroviq është kryetare e Bordit të Drejtorëve, ndërsa motra dhe nëna e saj janë menaxhere dhe anëtare e Bordit të Drejtorëve. Edhe kjo organizatë ka selinë në një vilë shtetërore të marrë me qira nga DIPOS dhe siç shkruante Nova.rs dy vite e gjysmë më parë, qiraja është 1370 euro në muaj.
Familja Teshiq është e afërt me SNS-në, partinë e Aleksandar Vuçiqit. Mediat e kanë cilësuar vazhdimisht Sllobodan Teshiqin si financues të Partisë Përparimtare dhe se ai ka pasaportë diplomatike. Vajza e tij e dytë, Danijela Vasiljeviq, ishte kandidate për deputete të SNS-së. Ajo ishte e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe siç zbuloi për publikun lideri aktual i NPS-së, Miroslav Aleksiq, më vonë u transferua në Ministrinë e Brendshme, ose në Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Operacional Policor.
“Nova” më herët ka raportuar se Slobodan Teshiq dhe gruaja e tij Zhivana kanë blerë dy vila shtetërore, të cilat janë marrë me qira nga DIPOS në vitin 2011. Pasi hasi në pronën luksoze në rrugën Maglajska, Teshiq bleu edhe një vilë në rrugën Mihaila Mike Jankoviq (ish rruga Botiçeva).
Vila në Maglajska është blerë në fund të vitit 2019, pasi më parë i ishte dhënë me qira Teshiqit deri në vitin 2043. Meqenëse ai, si qiramarrës, ishte barra që solli shitja e pronës, është e qartë pse Teshiq (formalisht gruaja e tij Zhivana) ishte i vetmi ofertues për blerjen e vilës.
Është paguar 4.48 milionë euro, ose vetëm 3755 euro më shumë se çmimi fillestar. Sllobodan dhe Zhivana Teshiq janë të regjistruar në Kadastrën e Patundshmërive si pronarë të pronës.
Në korrik të vitit 2021, Slobodan Teshiq, megjithatë, bleu një vilë tjetër shtetërore, e cila gjithashtu ishte dhënë me qira nga DIPOS për vite me radhë.








