Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik dhe profesional. Ajo ka njoftuar se sot, para Komisionit të Lartë Vlerësues, ka marrë zyrtarisht titullin Specialiste e Parodontologjisë dhe Mjekësisë Orale.
Vlerësimi u bë nga komisioni i përbërë nga kryetarja Prof. Asoc. Dr. Zana Sllamniku Dalipi, si dhe anëtarët Dr. Sc. Kastriot Meqa dhe Prof. Ass. Dr. Visar Bunjaku.
Me këtë rast, Dr. Spec. Gresa J. Krasniqi ka shprehur mirënjohje për kolegët e saj, të cilët gjatë këtij rrugëtimi profesional u bënë edhe miq të afërt. Një falënderim i veçantë iu drejtua bashkëshortit të saj, Sadikut, për mbështetjen, qetësinë dhe dashurinë e vazhdueshme, si dhe vajzës së tyre Odetë, të cilët, sipas saj, janë motivi kryesor i çdo arritjeje.
Në mesazhin e saj, Gresa Krasniqi ka theksuar edhe rolin vendimtar të familjes ku u rrit, duke falënderuar prindërit dhe motrat e vëllezërit për themelet e forta mbi të cilat është ndërtuar rrugëtimi i saj jetësor dhe profesional. Ajo ka theksuar se ky titull dhe çdo arritje e saj është një dedikim i përhershëm për prindërit, për dashurinë, forcën dhe mbështetjen e tyre të pakushtëzuar, edhe në momentet më të vështira.
Në përfundim, Dr. Spec. Gresa J. Krasniqi ia ka dedikuar këtë arritje babait të saj, Jakup Krasniqi, dhe nënës së saj, duke shprehur shpresën për ribashkim të shpejtë familjar dhe për një të ardhme të përbashkët të ndërtuar mbi dashuri, sakrificë dhe qëndrueshmëri.






