- Shkruan prof. Enver Bytyçi
Ivo Andriç ka shkruar që para 80 e ca vitesh një roman me titullin “Ura mbi Drino”! Shpesh herë ne shqiptarët në Shqipëri e kemi marrë sikur subjekti i romanit bën fjalë për një urë mbi lumin tonë, Drin. Madje në përkthim e kemi me titull “Ura mbi Drin”! Por në fakt bëhet fjalë për një urë që gjendet në territorin e Bosnjës mbi lumin Drino. Sot është koha që të shkruhet një roman tjetër me të njëjtin subjekt, por me titull “Ura mbi Ibër”!
Të gjitha urat, si ajo mbi Drino, edhe ato mbi Ibër apo edhe mbi Drinin shqiptar, kanë vetëm një funksion: – Të bashkojnë dy pjesë të një territori të caktuar, pjesë të cilat i ndan një lum i rrjedhshëm. Nuk mund të bëjnë përjashtim edhe urat e Ibrit, sidomos ajo më e madhja dhe kryesorja.
Qeveria e Kosovës ka vënë gur-themelin e ndërtimit edhe për dy urave të tjera mbi këtë lum që lidh pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës. Njëra do të jetë mesa duket për këmbësorë, sepse në projekt shihet që e ka të njëjtë gjatësinë me gjerësinë e saj prej 47 metër. Mund të quhet bulevard mbi Ibër. Tjetra do të jetë vetëm për mjete të transportit.
Ndërkohë ura ekzistuese e bllokuar në mesin e qershorit 1999 nga KFOR-i Francez dhe Rojat e Urës, të sponsorizuar prej Beogradit, vazhdon të jetë e mbyllur për lëvizjen e automjeteve. Arsyeja? – Na zemrohen serbët! Në fakt zemrohet Beogradi dhe jo serbët e Kosovës, të cilët logjikisht nuk mund të jenë kundër lëvizjes së tyre të lirë. Të cilët urave ua shohin vetëm hajrin për zhvillim e prosperitet.
Në fund të fundit të gjitha urat mbi Ibër janë nyje lidhëse midis popullsisë shumicë të serbëve në veri të Kosovës me pjesëve të tjera të këtij shteti. Edhe me pjesën tjetër të pakicës serbe në Kosovë, si psh Graçanicë etj.
Beogradi reagoi edhe në këtë rast, kur kryeministri Kurti vendosi kur-themelin e dy urave të reja. Madje Petkoviç kërcënoi me luftë, pse qeveria e Kosovës inaguroi fillimin e ndërtimit të dy urave në fjalë. Sikur të bëhej fjalë për mure dhe jo për ura. Shteti serb mobilizoi edhe një grup të banorëve të këtij vendi të dilnin në rrugë përtej pikës kufitare të Merdares e ta bllokonin hyrjen e mallrave dhe qytetarëve kosovarë.
Pse? Pse ju ndërtoni ura! Ah Ura mbi Ibër! Sesi mund të bëhet shkak për luftë e destabilizim ndërtimi i urës, kjo shpjegohet vetëm me teorinë e sjelljes së serbëve dhe qeverisë së Beogradit. Nuk gjen në literaturën antike, klasike e as atë moderne diçka që ta shpjegojë narrativën serbe, sipas së cilës “Urat ndajnë njerëzit! Urat krijojnë përçarje, urrejtje dhe konflikte”! Vetëm në Beograd ekziston kjo narrativë teorike dhe praktike.
Prandaj dhe ambasadori gjerman në Prishtinë, zoti Rhode, reagoi me një argument jashtë kësaj optike që po trajtoj në këtë koment, por gjithësesi e kundërshtoi narrativën e Beogradit, i cili reagoi me nervozizëm e në mënyrë agresive për ndërtimin e dy urave mbi Ibër.
Ai tha se para se të flasësh për dikë tjetër (në rastin konkret për fillimin e punimeve të qeverisë së Kosovës për urat mbi Ibër), duhet të pastrosh para shtëpisë tënde. Ishte një fshikullim i hidhur për Beogradin. Sepse i kërkon atij të qëndrojë larg zhvillimeve të brendshme në Kosovë. Të mos fabrikojë alibi për ta kërcënuar Kosovën dhe stabilitetin në rajon, etj.
Urat mbi Ibër do të shënojnë përfundimisht hapin vendimtar të mesazhit të Kosovës për bashkësinë ndërkombëtare. Ky mesazh lidhet me atë që bota ta kuptojë se Kosova është një dhe e pandarë! Se shteti i Kosovës është sovran në të gjithë territorin e vendit. Se shumica shqiptare në Kosovë është për bashkëjetesë.
Urat vetëm këto mesazhe japin. Kurrë jo ndarje, përçarje, urrejtje dhe konflikte! Kush ndërton ura, ndërton paqen, tolerancën, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin. Prandaj ndërtimi i dy urave dhe hapja e urës kryesore të Ibrit kanë rëndësi të jashtëzakonshme të realizohen sa më shpejt të jetë e mundur.






