Inxhinierët raketorë ukrainas kanë prezantuar raketën e re lundruese “Flamingo”, e cila konsiderohet si një prej arritjeve më të mëdha të industrisë ushtarake vendase. Kjo raketë, që është bërë publike për herë të parë në panairin e armatimeve IDEX-25 në muajin shkurt, fillimisht u prezantua me emrin FP-5.
“Flamingo” pritet të ketë një rreze veprimi deri në 3.000 kilometra dhe të mbajë një kokë shpërthyese prej 1000 kilogramësh, ndërsa saktësia e saj vlerësohet të jetë shumë e lartë për këtë lloj teknologjie – me një devijim deri në 15 metra nga shënjestra.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se tashmë ka nisur prodhimi serik i kësaj rakete, duke theksuar se të gjitha testimet janë përfunduar me sukses dhe se forcat e armatosura ukrainase janë të gatshme për përdorimin operacional të saj.
“Dhe kjo është raketa më e suksesshme që kemi pasur deri më tani. Fluturon 3000 kilometra, gjë që është e rëndësishme. Deri në dhjetor do të kemi më shumë prej tyre. Duhet të shohim suksesin e testeve dhe të shohim financimin e këtij programi”, tha Zelensky.
Ekspertët ushtarakë e vlerësojnë këtë zhvillim si një hap të madh në modernizimin e arsenalit ukrainas, sidomos në kontekstin e luftës kundër agresionit rus. Kjo raketë e fuqishme përfaqëson potencialin e industrisë ushtarake të Ukrainës, që edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik ka ruajtur një bazë industriale të fuqishme për prodhimin e raketave.
Në paralel, Zelensky ka paralajmëruar që në muajin qershor se është duke u përgatitur edhe prodhimi serik i raketave balistike “Sapsan”, duke dëshmuar se Ukraina është duke avancuar ndjeshëm në zhvillimin e aftësive të saj strategjike.










