Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka dorëzuar deklarimin vjetor të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, duke zbuluar detaje mjaft interesante për financat e tij, ku dominojnë huatë e mëdha për shpenzime konsumi.
Ajo që bie më së shumti në sy në formularin e Bashës është një hua prej 35 mijë eurosh.
Sipas deklarimit të tij, kjo shumë është marrë për të mbuluar shpenzimet familjare, ku specifikohen biletat e udhëtimit dhe shpenzimet e tjera që lidhen me kartelën e kreditit.
Përveç huasë për udhëtime, Basha ka raportuar se është ende në borxh edhe për mjetin e tij të transportit.
Ai ka deklaruar 10 mijë euro borxh lidhur me veturën e blerë vitin e kaluar, vlera totale e së cilës arrin në 31 mijë euro.
Sa i përket mjeteve të gatshme në institucionet financiare, Basha ka raportuar: 2,500 euro nga paga në Kuvend, 720 euro kursime të mëhershme dhe 19 mijë euro të evidentuara si kontribute në Trust dhe në llogari rrjedhëse.
Në pjesën e të hyrave vjetore, ai ka deklaruar një pagë mujore prej 1,800 eurosh, duke theksuar se nuk ka të hyra të tjera.









