Udhëheqësi Suprem i Iranit, duke i përshkruar protestat e fundit si një “grusht shteti” , paralajmëroi sot më 1 shkurt, një lufte rajonale nëse SHBA-të vendosin të ndërhyjnë me ushtrinë e tyre.
“Amerikanët duhet ta dinë se nëse fillojnë një luftë, këtë herë do të jetë një luftë rajonale ”, tha Ajatollah Ali Khamenei, duke folur për herë të parë që nga mesi i janarit.
Shtetet e Bashkuara bombarduan Iranin gjatë një lufte dymbëdhjetëditore në qershor që u iniciua nga Izraeli.
Dhe që nga vala e protestave e cila ka lënë mijëra të vdekur, Donald Trump ka ngritur kërcënimin e një sulmi të ri kundër Republikës Islamike, edhe pse në orët e fundit dy armiqtë duket se kanë favorizuar rrugën diplomatike.
Presioni po vjen edhe nga Bashkimi Evropian, i cili e ka vendosur Trupën e Gardës Revolucionare Islamike, ushtrinë ideologjike të Republikës Islamike, në listën e “organizatave terroriste”.
Irani i shpall ushtritë evropiane “terroriste”
Në shenjë hakmarrjeje, parlamenti iranian të dielën i shpalli ushtritë evropiane si “grupe terroriste”, “në përputhje me nenin 7 të ligjit “.
Sipas pamjeve të transmetuara nga televizioni shtetëror, kryetari i asamblesë, Mohammad Bagher Ghalibaf, ishte veshur, ashtu si anëtarët e tjerë të parlamentit, me një uniformë të Gardës Revolucionare, si shenjë solidariteti dhe sfide.
“Vdekje Amerikës!” ” Vdekje Izraelit!” ” Turp Evropës!” brohoritën zyrtarët e zgjedhur në sallë, në 47- vjetorin e kthimit nga mërgimi në Iran të Ajatollah Khomeinit, babait themelues të Republikës Islamike.
Pasdaran ( që në persisht do të thotë “mbrojtës”), i krijuar në vitin 1979 nga Udhëheqësi Suprem menjëherë pas Revolucionit Islamik, konsiderohet ushtria ideologjike e regjimit. Ajo është jashtëzakonisht e organizuar mirë dhe kontrollon sektorë të tërë të ekonomisë iraniane.
Pasojat e menjëhershme të këtij njoftimi, i cili duket kryesisht simbolik, nuk ishin menjëherë të qarta. Ky ligj ishte miratuar në vitin 2019 në përgjigje të masave të marra nga Uashingtoni.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vendosur rreth dhjetë anije në Gjirin Persik, përfshirë aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln , Irani do të fillojë një stërvitje detare të dielën në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe tranziti për furnizimet globale me energji, të cilën Teherani ka kërcënuar ta bllokojë në rast të një sulmi amerikan.Por Presidenti iranian Masud Pezeshkian deklaroi të shtunën në mbrëmje se lufta nuk ishte as në interesin e Iranit dhe as të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se ai preferonte diplomacinë. Një zyrtar tjetër i lartë raportoi “përparim” drejt “negociatave” me Uashingtonin.
Donald Trump, nga ana e tij, pohoi se Irani ishte në bisedime me Shtetet e Bashkuara, pa dhënë asnjë detaj. “Irani po flet me ne dhe do të shohim nëse mund të bëjmë diçka “, tha presidenti amerikan për Fox News.
Republika Islamike dyshohet nga fuqitë perëndimore se kërkon të pajiset me armë bërthamore, gjë që Republika Islamike e mohon.
Negociatat diplomatike
Ndërkohë, vendet në rajon po bëjnë përpjekje diplomatike për të “rikthyer Shtetet e Bashkuara dhe Iranin në tryezën e negociatave”, sipas presidentit egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi, i cili foli me homologun e tij iranian të shtunën.
Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, udhëtoi për në Teheran. Gjatë një takimi me Ali Larijani, Sekretarin e organit më të lartë të sigurisë së Iranit, udhëheqësi i Katarit “riafirmoi mbështetjen e vendit të tij për përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të gjetur zgjidhje paqësore që sigurojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, sipas një deklarate nga Ministria e tij e Punëve të Jashtme.
Duke dalë i dobësuar nga lufta e qershorit 2025, regjimi iranian ka shtypur protestat e fundit, të nxitura fillimisht nga kostoja e jetesës, të cilat janë shndërruar në një sfidë për qeverinë. Më shumë se 6,700 njerëz, përfshirë 137 fëmijë, janë vrarë në Iran, sipas një numri të përditësuar nga Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA, e cila po heton më shumë se 17,000 vdekje të tjera të mundshme.
Autoritetet iraniane pranojnë se mijëra njerëz u vranë gjatë protestave, por pohojnë se shumica dërrmuese ishin anëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të vrarë nga “rebelët “.
“Protestuesit sulmuan policinë, ndërtesat qeveritare, kazermat e Gardës Revolucionare, bankat, xhamitë dhe dogjën Kuranin … ishte një grusht shteti i vërtetë “, deklaroi Ali Khamenei të dielën, siç citohet nga agjencia e lajmeve Tasnim, duke pohuar se përpjekja kishte “dështuar”.








