Kryetari i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, Besnik Krasniqi, ka reaguar pasi që Suada Hallaqi përmes një njoftimi përcjell redaksisë ku njoftonte për dorëheqje iu referua vetës si nënkryetare.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Dega në Prizren, sqaron opinionin publik se nuk ka dhe as nuk ka pasur ndonjë nënkryetare femër në strukturat e saj. Personi që ka deklaruar dorëheqje, ka qenë ish-kandidate për Asamble Komunale, të cilën e falënderojmë për angazhimin dhe për 24 votat e fituara në zgjedhjet e fundit. Theksojmë se ajo nuk ka ushtruar asnjëherë funksionin e nënkryetares së degës”, thuhet në reagimin e Krasniqit.
Hallaqi në një reagim ku shpërfaqte pakënaqësitë e saj për koalicionin AAK-VV në Prizren, u vetëquajt nënkryetare e degës së AAK’së në Prizren.
“Unë ju premtoj që do të jam zë edhe më i fuqishëm në realizimin e interesave të gjithë qytetarëve të komunës së Prizrenit! Me shumë respekt dhe dashamirësi i juaji Nenkrytare Suada Hallaqi“, thuhet ndër të tjera në reagimin e saj.










