U kafshua nga nepërka në Valbonë, turistja nga Zelanda tregon për betejën e saj për mbijetesë

Peripecitë e një turisteje të huaj në Alpet Shqiptare janë bërë virale në rrjetet sociale, pasi ajo ndau minutë pas minute betejën e saj për mbijetesë, pasi u kafshua nga nepërka me bri, gjarpri më helmues që gjendet në Shqipëri.

Amy, e cila prej tre vitesh e gjysmë jeton në Zelandën e Re, tregon se ngjarja ndodhi më 21 qershor, rreth orës 10:19, teksa po vraponte në një shteg malor pranë Valbonës.

Menjëherë pasi u kafshua, ajo filmoi gjarprin për ta identifikuar më vonë, u ul në shteg dhe telefonoi numrin e emergjencës 112. Për shkak të terrenit të vështirë dhe vështirësive në komunikim, ndihma nuk arriti ta lokalizonte menjëherë.

Më pas, Amy telefonoi babanë e saj në Australi, i cili i kërkoi të dërgonte vendndodhjen përmes aplikacionit What3Words, në mënyrë që të ndihmonte autoritetet të përcaktonin pozicionin e saj. Paralelisht, ajo kontaktoi edhe pronarin e një bujtine në Shkodër, i cili u lidh me autoritetet lokale përmes WhatsApp dhe bëri të mundur dërgimin e ambulancës në zonën ku ndodhej.

Gjatë pritjes, turistja tregon se fillimisht improvizoi gabimisht një turniket me rrobat e saj, por më vonë e hoqi dhe vendosi një fashim kompresiv rreth plagës, ndërsa qëndroi e palëvizshme sipas udhëzimeve që mori.

Ajo rrëfen se frika më e madhe ishte fakti se ishte kafshuar nga gjarpri më helmues në Shqipëri. Megjithatë, ajo që ka prekur më shumë ndjekësit në rrjetet sociale është mënyra se si e përballoi situatën. Mes dhimbjes, ankthit dhe pasigurisë, Amy vazhdoi të filmonte veten, të dokumentonte çdo moment dhe madje të bënte humor, duke u përpjekur të ruante qetësinë.

Në mesazhin e saj, ajo thekson se pa sinjalin e telefonit celular, ngjarja mund të kishte përfunduar ndryshe. Për këtë arsye, u bën thirrje të gjithë turistëve që eksplorojnë zona të thella malore të pajisen me pajisje emergjence si inReach ose Personal Locator Beacon (PLB), të shkarkojnë aplikacione për ndarjen e vendndodhjes si What3Words dhe të mbajnë gjithmonë me vete një çantë të përshtatshme të ndihmës së parë.

Në fund, Amy falënderon të gjithë ata që i erdhën në ndihmë, duke theksuar se reagimi i shpejtë i banorëve vendas dhe autoriteteve bëri të mundur shpëtimin e saj. Fatmirësisht, sot ajo është jashtë rrezikut dhe e ka kthyer këtë përvojë traumatike në një mesazh shprese: edhe në momentet më të vështira, nuk duhet humbur kurrë shpresa.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit