Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se në Termocentralin “Kosova A” është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave.
Në njoftimin publik, KEK ka bërë të ditur se ekipet teknike, pas evidentimit të problemit, po merren me identifikimin e shkakut dhe me ndërhyrjet për sanimin e defektit dhe rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se në Termocentralin “Kosova A” është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave, si pasojë e një ndërprerjeje në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, e cila ka shkaktuar ndaljen automatike të operimit të elektrofiltrave. Menjëherë pas evidentimit të situatës, ekipet teknike kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e plotë të shkakut, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar ndërhyrjet për sanimin e defektit dhe rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit”, thuhet në njoftim.
Për pasojat e mundshme të kësaj ndërprerjeje të përkohshme, nuk janë dhënë detaje, por KEK ka thënë se po ndërmerr masa parandaluese për mbrojtjen e aseteve të tjera dhe minimizimin e çdo rreziku potencial për sistemin.
“Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar për menaxhim profesional të situatës, transparencë ndaj opinionit publik dhe rikthim sa më të shpejtë në operim normal, në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore në fuqi”, thuhet më tej në njoftim.









