Turqia ka marrë një vendim historik duke ndërprerë të gjitha marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Izraelin, duke i ndaluar avionët dhe anijet izraelite të përdorin hapësirën dhe portet e saj. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, gjatë një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Madh Popullor në Ankara.
Sipas këtij vendimi, jo vetëm që avionët izraelitë nuk do të lejohen të kalojnë më mbi territorin turk, por edhe anijet me flamur izraelit nuk do të kenë qasje në portet e vendit. Paralelisht, edhe anijet turke nuk do të kenë më të drejtë të ankorohen në portet izraelite.
Masa drastike vjen pas akuzave të përsëritura nga Ankaraja për “gjenocid” në Gaza, ku Izraeli ka zhvilluar ofensivën e tij ushtarake gjatë dy viteve të fundit. Fidan e përshkroi situatën si një nga kapitujt më të errët të historisë moderne dhe paralajmëroi se çdo plan për zhvendosjen e palestinezëve do të konsiderohet i pavlefshëm nga Turqia.
Shefi i diplomacisë turke foli gjithashtu për “rezistencën palestineze”, duke e cilësuar si një betejë që do të ndryshojë rrjedhën e historisë dhe që do të shërbejë si simbol për të shtypurit në mbarë botën.
Ndërprerja e marrëdhënieve pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta për trafikun ajror dhe atë detar. Fluturimet izraelite drejt Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit do të detyrohen të ndjekin rrugë më të gjata, duke shtuar rreth dy orë në kohën e udhëtimit. Në anën tjetër, autoritetet turke tashmë kanë kërkuar nga agjentët e porteve që të garantojnë me shkrim se asnjë anije nuk transporton mallra të destinuara për Izraelin, sidomos pajisje të ndjeshme ose materiale ushtarake.
Nga ana e saj, pala izraelite e ka marrë me skepticizëm vendimin, duke kujtuar se edhe në të kaluarën marrëdhëniet janë pezulluar në mënyrë simbolike, por tregtia ka vazhduar përmes kanaleve të tërthorta.
Megjithatë, ky vendim shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë të presidentit Erdogan për të forcuar presionin diplomatik ndaj Izraelit dhe për ta pozicionuar Turqinë si mbrojtëse të çështjes palestineze në arenën ndërkombëtare.









