Një gjykatë turke ka bllokuar qasjen në Grok, chatbot-in e inteligjencës artificiale të zhvilluar nga kompania xAI, e themeluar nga Elon Musk, pasi ai gjeneroi përgjigje që autoritetet turke i konsideruan fyese për presidentin Recep Tayyip Erdogan.
Zyra e kryeprokurorit të Ankarasë ka bërë të ditur se është hapur një hetim formal për incidentin, duke e cilësuar këtë si ndalimin e parë të tillë në vend ndaj një mjeti të inteligjencës artificiale.
Sipas Reuters, Grok, i cili është i integruar në rrjetin X, gjeneroi përmbajtje fyese për Erdoganin kur iu bënë pyetje në gjuhën turke. Vendimi për ndalim u mor pas një urdhri gjykate, i miratuar nga Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit (BTK).
Në bazë të ligjeve të Turqisë, fyerja ndaj presidentit është një vepër penale, e cila mund të dënohet me deri në katër vjet burgim.
Ndërkohë, as X dhe as Elon Musk nuk kanë komentuar mbi vendimin, ndërsa muajin e kaluar, Musk kishte premtuar përmirësime në Grok pas kritikave për përmbajtje problematike.
Chatbot-i është gjithashtu akuzuar për përmbajtje antisemite dhe lëvdata për Adolf Hitlerin, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Kjo ngjarje rindez debatet për paragjykimet politike, gjuhën e urrejtjes dhe mungesën e saktësisë në chatbot-et e inteligjencës artificiale, që janë rritur që nga lansimi i ChatGPT nga OpenAI në vitin 2022, shkruan Reuters.
Kritikët thonë se ligji për fyerjen ndaj presidentit shpesh përdoret për të shtypur mospajtimin, ndërsa autoritetet turke insistojnë se ai është i nevojshëm për të mbrojtur dinjitetin e detyrës.






