Numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri është rritur me 12,4 për qind në maj të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, vizitorët rezidentë u rritën me 11,4 për qind, ndërsa ata jo-rezidentë me 12,7 për qind.
Edhe numri i net-qëndrimeve shënoi rritje. Në total, ato u shtuan me 8 për qind krahasuar me majin e vitit 2025. Net-qëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 6 për qind, ndërsa ato të vizitorëve të huaj me 8,6 për qind.
Italia mbeti tregu kryesor i origjinës së turistëve të huaj, me 19 për qind të totalit. Kosova përbënte 11 për qind të vizitorëve jo-rezidentë, e ndjekur nga Gjermania me 10 për qind, Franca me 9 për qind dhe Polonia me 6 për qind.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 29,8 për qind, nga 28,7 për qind sa ishte në maj të vitit të kaluar.
Megjithatë, operatorët turistikë raportojnë dobësi te rezervimet e minutës së fundit, veçanërisht në zonat e Durrësit dhe Golemit. Sipas tyre, kontratat e garantuara po ecin mirë, ndërsa rezervimet individuale gjatë sezonit kanë shënuar rënie.
Një pasqyrë më e plotë për ecurinë e sezonit turistik pritet të dalë pas përfundimit të verës.








