Diogo Jota, një nga lojtarët më të dashur të Liverpoolit, ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident automobilistik në Zamora të Spanjës, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.
Jota, i cili ishte këshilluar nga mjekët të mos udhëtonte pas një operacioni, po udhëtonte me makinë kur Lamborghini i tij doli nga rruga për shkak të shpërthimit të një rrote.
Pas ngjarjes së rëndë, skuadra e Liverpoolit dhe bota e futbollit shpërthyen në homazhe dhe nderime për Jotën. Një prej gjesteve më emocionuese vjen nga mbrojtësi grek Kostas Tsimikas, i cili ka realizuar një tatuazh në kujtim të mikut të tij. Tatuazhi përmban fjalët “Do të doja të ishe këtu” dhe numrin 20 që Jota mbante te Liverpooli.
Tatuazhi u realizua në Greqi nga studioja “Puerto Ink Athens”, e cila e përshkroi si një kujtim të përjetshëm të lidhjes përtej futbollit: “Nga ëndrrat në Anfield, nga shokët e ekipit në vëllezër. Ky tatuazh nuk është thjesht homazh – është dashuri, dhimbje dhe kujtim i gdhendur përjetë.”
Gjatë kohës së tyre në Merseyside, Jota dhe Tsimikas luajtën së bashku në 54 ndeshje, duke ndarë momente të paharrueshme. Tsimikas ka ndarë gjithashtu një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku shkruan: “Kemi festuar disa nga momentet më të mira të karrierës sonë. Ti ishe një lojtar i veçantë, një djalë i veçantë, një legjendë e vërtetë, Diogo.”
Në nderim të kujtimit të tij, Liverpool ka vendosur të tërheqë fanellën me numrin 20.






