Në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump i bën kompliment Presidentit të Liberisë për “anglishten e tij të mirë”, pa ditur se është gjuha zyrtare e vendit që themeluan ish-skllevërit amerikanë.
Në një nga momentet më komike (dhe tragjikisht të zakonshme) të karrierës së tij diplomatike, presidenti amerikan Donald Trump u befasua që Presidenti i Liberisë, Joseph Boakai, që fliste një anglishte të përkryer. I habitur si një turist në safari, Trump pyeti plot admirim: “Ku e mësuat kaq mirë anglishten? Ku jeni edukuar?” – duke marrë një përgjigje të ftohtë, por plot klas nga Presidenti afrikan: “Në Liberi.”
Trump, pa ndalur entuziazmin, shtoi: “Shumë interesante. Kam njerëz në këtë tavolinë që nuk flasin kaq mirë.”
Të ishte një episod i veçuar, do qeshnim e do kalonim. Por, kur bëhet fjalë për Trumpin, injoranca diplomatike është standard. Nuk është se pritej të dinte që Liberia është një nga aleatët më të vjetër të SHBA-së, e themeluar nga ish-skllevër të liruar amerikanë, që zgjodhën të kthehen në Afrikë në shekullin XIX për të ndërtuar një komb të lirë.
Monrovia, kryeqyteti i Liberisë, mban emrin e presidentit amerikan James Monroe. Flamuri i saj është një “kopje me një yll” e flamurit amerikan. Dhe po, anglishtja është gjuha e saj zyrtare. Që prej vitit 1847.
Por në universin paralel të Donald Trump-it, Afrika është ende një kontinent i errët dhe plot “befasi”. Ndoshta herën tjetër do të habitet që në Nigeri kanë universitet, në Kenia ka satelitë, apo që në Afrika e Jugut flitet edhe gjermanisht.
Kjo gafë është më shumë se një moment gazmor, është simptomë e një mentaliteti që sheh botën përtej SHBA-së si një hartë egzotike ku fletët janë bosh. Një mendësi e rrezikshme për një lider që ka pasur në dorë çelësat e fuqisë më të madhe ushtarake dhe ekonomike të botës.






