Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur dizajnin për sistemin e ri të mbrojtjes raketore të quajtur “Kupola e Artë”, një projekt që, sipas tij, do të jetë funksional deri në përfundim të mandatit të tij të dytë presidencial.
Vetëm pak ditë pasi është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trumpi prezantoi vizionin e tij për ndërtimin e një sistemi të avancuar të mbrojtjes ajrore, të destinuar për t’u përballur me kërcënimet më të sofistikuara, përfshirë raketat balistike, lundruese dhe ato hipersonike, raportoi “BBC”.
Për këtë projekt është paraparë një buxhet fillestar prej 25 miliardë dollarësh në një projektligj të ri, ndërkohë që shpenzimet totale pritet të shkojnë në rreth 175 miliardë dollarë gjatë dekadave të ardhshme.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se sistemet aktuale të mbrojtjes nuk janë më të mjaftueshme përballë teknologjive ushtarake që po zhvillohen me shpejtësi nga kundërshtarët e mundshëm. Në këtë drejtim, administrata Trump ka caktuar gjeneralin e Forcës Hapësinore, Michael Guetlein, për të mbikëqyrur projektin.
Duke folur nga Zyra Ovale të martën, Trump tha se sistemi do të përfshijë teknologji “të gjeneratës së ardhshme” në tokë, det dhe hapësirë, si dhe sensorë dhe interceptorë të vendosur në hapësirë.
Ai shtoi se “Kanadaja kishte kërkuar të ishte pjesë e sistemit”, duke treguar se projekti mund të ketë edhe përmasa ndërkombëtare.
Presidenti shtoi se sistemi do të “jetë në gjendje të ndalojë raketa të lëshuara nga ana tjetër e botës apo edhe nga hapësira”, ndërsa e krahasoi pjesërisht me sistemin izraelit “Kupola e Hekurt”. Sidoqoftë, “Kupola e Artë” pritet të jetë më e avancuar dhe me kapacitete të zgjeruara për të ndaluar edhe kërcënime si armët hipersonike dhe sistemet fraksionale të bombardimit orbital (FOBS).
“Të gjitha do të rrëzohen nga ajri. Shkalla e suksesit është shumë afër 100%,” u shpreh Trump me bindje.
Sipas zyrtarëve amerikanë, sistemi do të jetë i aftë të neutralizojë kërcënimet në të gjitha fazat – madje edhe para lëshimit të raketave. Kjo nismë e re pritet të shënojë një nga përpjekjet më ambicioze të mbrojtjes kombëtare në historinë moderne të SHBA-së.






