Në vitet 1980, 3 nga burrështetasit e mëdhenj të historisë ishin në pushtet në të njëjtën kohë: presidenti i SHBA-së Ronald Regan, udhëheqësi i fundit sovjetik Mikhail Gorbaçov dhe Papa Gjon Pali II.
Kjo ndodhi në fazën përmbyllëse të Luftës së Ftohtë, përballjes globale midis dy superfuqive, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, e cila zgjati nga viti 1945 deri në shpërbërjen zyrtare të Bashkimit Sovjetik më 25 dhjetor 1991.
🔊
Kur Regan mori detyrën në vitin 1981, ishte në kulmin e saj nisma për frenimin e sovjetikëve, e promovuar nga një president i mëparshëm republikan, Riçard Nikson. Ajo përfshinte joshjen dhe afrimin e Kinës komuniste, si një lloj kompensimi për humbjen e Shteteve të Bashkuara në Vietnam (kundër komunistëve vietnamezë të mbështetur nga sovjetikët).
Presidenca vendimtare e Niksonit, mund të kishte pasur sukses në atë iniciativë, po të mos kishin qenë kostot dhe pasojat e menjëhershme të dështimit në Vietnamit dhe skandalit Uotergejt. Do të duhej të kalonin edhe disa vite që Regan të çonte Shtetet e Bashkuara në kulmin e fuqisë globale.
Por ajo që i nevojitej, ishte një “partner” në Bashkimin Sovjetik për të realizuar fillimin e asaj që mund të ishte një epokë e re, me horizonte shumë më të mira për botën. Ky partner u shfaq në formën e reformistit Gorbaçov, i cili u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985 dhe president në vitin 1988.
Ai u bë bashkëbiseduesi që i nevojitej Perëndimit, i aftë të përballonte sfidat e historisë. Për rreth 45 vjet, bota kishte jetuar në ankth nga kërcënimi i një lufte bërthamore midis superfuqive, të cilat ishin ndërkohë të angazhuara në dhjetëra luftëra më të vogla me delegim në të 5 kontinentet e botës.
Zgjedhja e Papa Gjon Palit II, Karol Vojtilës, një polak dhe antikomunist i vendosur, atdheu i të cilit ishte nën kontrollin komunist rus, prodhoi aktorin e tretë për këtë fazë. Ai nuk kishte armë apo ushtri, por përdori forcën e Kishës Katolike si bartës i paqes, duke pasur një karizmë personale dhe peshë të madhe shpirtërore midis katolikëve perëndimorë, në një botë ku konflikti ishte bërë një çështje kryesisht perëndimore.
Kështu u formua një “trekëndësh i hekurt”, i cili filloi të funksiononte me shumë efektivitet. Në fillim të viteve 1990, Rusia kishte filluar një tranzicion drejt demokracisë, dhe Papa po mobilizonte turma të mëdha në të gjithë botën, duke shkuar përtej grigjës katolike për t’u bërë një Bari i Paqes Universale.
Le të kthehemi tani në fillimin e shekullit XXI, kur doli në skenë një aktore e re, një Kinë ekonomikisht e fuqishme dhe e drejtuar nga komunistët, e cila do të sfidonte superfuqinë mbizotëruese të botës. Ky konflikt nuk është brenda Perëndimit dhe as midis sistemeve ekonomike antitetike, por midis dy kulturave.
Sot, pjesa e Shteteve të Bashkuara në të gjithë ekonominë botërore prej 100 trilionë dollarësh është 23 trilionë dollarë. Ajo e Kinës është 19 trilionë dollarë, me një tendencë të dukshme drejt barazisë deri në vitin 2030.
Presidenti aktual i SHBA-së, Donald J.Trump, ka vendosur të nisë një luftë tregtare të plotë me konkurrentin kinez, pasojat e së cilës nuk janë shfaqur ende. Këtë herë konflikti nuk
është brenda Perëndimit dhe as midis sistemeve ekonomike të kundërta midis tyre (kapitalizmit dhe komunizmit), por midis dy kulturave – Lindore dhe Perëndimore – dhe sistemeve politike që përplasen, kapitalizmit pluralist dhe një regjimi komunist njëpartiak.
Fuqia e të dyja palëve dhe klima e pasigurisë që e ka shoqëruar të ashtuquajturën Ditë Çlirimi të Trump më 4 prill (kur shpalli tarifat e tij), e kanë tejkaluar ndikimin si të sulmit rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022, ashtu edhe të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit Jugor më 7 tetor 2023, pavarësisht pasojave të tyre të tmerrshme në të dyja vendet.
I ndjeri Papa Françesku, u përpoq të bëhej një protagonist i tretë përkrah presidentëve Trump dhe Xi, por u pengua nga problemet e tij shëndetësore. Megjithatë, ai la pas një trashëgimi të spikatur, që duket se do ndiqet nga papa i ri, Robert Prevost, ose Leoni XIV.
Papa Leoni XIV ndan shqetësimet e paraardhësit të tij për të varfrit dhe të pakënaqurit, dhe është i frymëzuar nga Doktrina Sociale, e farkëtuar nga një papë i mëparshëm, Leoni XIII. Pra mund të themi se është rindërtuar Trekëndëshi i Pushtetit, i përbërë nga Trump, Xi dhe Leoni XIV, me një kimi të ekuilibruar, të cilën mund ta konsiderojmë edhe premtuese në një botë që është bërë e çrregullt dhe kërcënuese.
Le të shpresojmë se ata do të punojnë për të penguar përhapjen e errësirës në formën e ekstremizmit, fanatizmit dhe dogmatizmit, e cila mund të na çojë drejt shkatërrimit të plotë. Duke i konsideruar këta tre burra si një trekëndësh të ri pushteti, unë e shoh të ardhmen me një optimizëm të kujdesshëm.






