Uashingtoni po bën përpjekjet e fundit për të bindur Moskën të ndalë luftën në Ukrainë para skadimit të ultimatumit 10-ditor që Donald Trump i vuri Vladimir Putinit më 30 korrik, në mënyrë që të shmangë një paketë të re sanksionesh të ashpra.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i tij, do të takohet me Vladimir Putinin në Rusi. Takimi pritet të zhvillohet të mërkurën ose të enjten, dy ditët e fundit para skadimit të ultimatumit.
I pyetur se çfarë do t’i propozojë Witkoff Putinit, Trump tha shkurt: “Bëj një marrëveshje që ndalon vrasjen e njerëzve.”
Trump beson se Putini do të pranojë një marrëveshje për të shmangur sanksionet. “Ata duken shumë të zotët në shmangien e sanksioneve. Janë dinakë.”
Sipas mediave amerikane, nëse ultimatumi ndaj Putinit dështon në arritjen e një armëpushimi, strategjia e Trump është të godasë me sanksione blerësit e mëdhenj të drejtpërdrejtë të naftës nga Rusia, si Kina dhe India, ndaj të cilës është shtuar ditët e fundit presioni nga administrata amerikane.
Ndërkohë Kievi dhe Moska kanë vazhduar sulmet e ndërsjella ajrore para se të skadojë afati i vendosur nga Trumpi.
Trump i ka bërë presion presidentit rus, Vladimir Putin, që të pranojë një marrëveshje armëpushimi dhe t’i japë fund luftës, e cila tani ka hyrë në vitin e saj të katërt.
Më 14 korrik, Trump tha se Putin kishte 50 ditë kohë për të ndalur luftën, në të kundërtën Rusia do të përballej me tarifa të ashpra që do të kishin për shënjestër naftën dhe eksportet e tjera. Më vonë, ai e shkurtoi afatin deri më 8 gusht.
Shkurtimi i afatit përkoi me një javë vdekjeprurëse për civilët në Ukrainë, përfshirë sulmin e 31 korrikut në Kiev, në të cilin u përdorën mbi 300 dronë që vranë të paktën 31 persona. Forcat ukrainase po ashtu kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës ruse.
Përshkallëzimi i sulmeve dhe afati që po afron për një marrëveshje armëpushimi vijnë në të njëjtën kohë kur Trump deklaroi më 1 gusht se kishte dislokuar nëndetëse bërthamore në “rajone të përshtatshme”. Trump tha se vendosi që të ripoziciononte nëndetëset bërthamore “më afër Rusisë” për shkak të “deklaratave jashtëzakonisht provokuese” të bëra nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.
Presidenti amerikan nuk specifikoi nëse bëhej fjalë për nëndetëse të pajisura me armë bërthamore apo vetëm nëndetëse që operojnë me energji bërthamore.










