spot_img
spot_img
Friday, February 13, 2026
spot_img
spot_img

Trump rikthen luftën e ftohtë në Arktik, spiunazh dhe operacione sekrete për të rrëmbyer Groenlandën!

Kriza diplomatike mes SHBA dhe Danimarkës ka hyrë në një fazë të re të tensionuar, pasi qeveria daneze thirri në Ministrinë e Jashtme diplomatin më të lartë amerikan në Kopenhagë për të kërkuar shpjegime mbi raportimet se njerëz të afërt me Presidentin Donald Trump kanë zhvilluar operacione të fshehta në Groenlandë për të nxitur shkëputjen e saj nga Danimarka.

Televizioni publik DR raportoi se të paktën tre individë amerikanë, të lidhur drejtpërdrejt me rrethin e ngushtë të Trump-it, janë përfshirë në fushata ndikimi për të krijuar një lëvizje secesioniste në ishullin arktik. Një prej tyre vizitoi Nuuk-un, kryeqytetin e Groenlandës, për të përpiluar një listë me qytetarë që mbështesin idenë e shkëputjes nga Danimarka dhe bashkimit me SHBA. Shërbimi danez i inteligjencës (PET) e ka cilësuar këtë si një përpjekje për të “krijuar përçarje mes Groenlandës dhe Danimarkës duke shfrytëzuar kontradiktat ekzistuese ose të fabrikuara”.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi prerazi se “çdo tentativë për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë është e papranueshme”.

Trump, i cili që në mandatin e parë kishte shprehur publikisht dëshirën për ta blerë Groenlandën, e ka bërë retorikën e tij edhe më agresive në mandatin aktual, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e SHBA mbi territorin e pasur me minerale të rralla. Banorët inuit të Groenlandës dhe qeveria vendase e kanë refuzuar kategorikisht këtë skenar, duke u rreshtuar hapur për mbrojtjen e vetëvendosjes.

Tensioni është shtuar më tej pas vendimit të beftë të administratës Trump për të pezulluar ndërtimin e parkut të madh eolik “Revolution Wind” në brigjet e Rhode Island, një projekt prej 1,5 miliardë dollarësh i kompanisë daneze Ørsted, që ishte përfunduar në masën 80%. Vendimi shkaktoi rënie të aksioneve të kompanisë, ku shteti danez zotëron shumicën e aksioneve, dhe u lexua nga Financial Times si një formë hakmarrjeje politike pas kritikave të Kopenhagës ndaj Trump-it.

Ish-kryeministri danez dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u shpreh ashpër: “Retorika e Trump-it ngjan shumë me atë të Putinit dhe Xi Jinping. Duhet ta trajtojmë Trump-in në të njëjtën mënyrë si trajtojmë Putinin dhe Xin, autokratët njohin vetëm forcën dhe vendosmërinë.”

Ky episod e vendos Danimarkën, një aleate e fortë e NATO-s, në një përplasje të hapur me Uashingtonin, duke shënuar një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve. Groenlanda, dikur objekt ironie kur Trump propozoi “ta blinte”, po kthehet sot në një nga pikat më të nxehta të gjeopolitikës atlantike.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img
- MARKETING - Epoxy Amerikanspot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit