Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ngritur një padi për shpifje kundër gazetës prestigjioze Wall Street Journal dhe pronarëve të saj, përfshirë Rupert Murdoch, pas publikimit të një artikulli që përfshinte një letër ditëlindjeje drejtuar Jeffrey Epstein.
Sipas artikullit në fjalë, letra përmbante një mesazh personal dhe një vizatim të një gruaje nudo, që pretendohet se ishte nënshkruar nga Trump.
Padia është dorëzuar në Gjykatën Federale në Majami dhe kërkon të paktën 10 miliardë dollarë si kompensim për dëmin, duke akuzuar Rupert Murdoch, kompaninë Dow Jones, News Corp, shefin ekzekutiv Robert Thomson dhe dy gazetarë të gazetës për “raportim të rremë, shpifës dhe përçmues”.
Sipas legjislacionit amerikan, një figurë publike që pretendon shpifje duhet të provojë se jo vetëm që informacioni është i rremë, por se është publikuar me “keqdashje të vërtetë” – pra, me dijeni të plotë për falsitetin ose me injorim të qëllimshëm të së vërtetës.
Në dritën e presionit të shtuar për të hedhur dritë mbi lidhjet me Epstein – i cili vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa po përballej me akuza për trafikim seksual – Trump ka autorizuar Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi, që të kërkojë publikimin e dëshmive të jurisë së madhe lidhur me rastin Epstein.
Një ditë më pas, Qeveria amerikane kërkoi nga një gjykatë federale në Manhatan të publikojë transkriptet e jurisë së madhe për Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell.
Maxwell u shpall fajtore në vitin 2021 për përfshirjen në abuzimin seksual të vajzave të mitura nga Epstein. Ajo aktualisht është në proces të apelimit të dënimit prej 20 vitesh në Gjykatën Supreme të SHBA-së.
Trump ka pranuar më herët se ka pasur kontakte me Epstein, por ka theksuar se “marrëdhënia u ndërpre pas një grindjeje”.










