Presidenti amerikan, Donald Trump do të zhvillojë një takim me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator.
Trump thekson në platformën Truth Social se gjatë takimit do të diskutohen një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë marrëveshjet tregtare dhe ato ushtarake, si dhe çështja e avionëve F-35, për të cilën shprehet optimist për një përfundim pozitiv të bisedimeve.
Më tej ai shkruan se me presidentin Erdogan ka pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira.
“Jam i kënaqur që do të mirëpres Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator. Po bashkëpunojmë me Presidentin në shumë marrëveshje tregtare dhe ushtarake, përfshirë blerjen në shkallë të gjerë të avionëve Boeing, një marrëveshje të rëndësishme për F-16, si dhe vazhdimin e bisedimeve për F-35, të cilat presim t’i finalizojmë me një rezultat pozitiv. Presidenti Erdogan dhe unë gjithmonë kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Mezi pres ta takoj më 25 të këtij muaji!”, shkruan Trump në postimin e tij.











