Kryetarja e bashkisë së Karakasit, Carmen Meléndez, doli në një nga stacionet më të mbushura të metrosë së qytetit me një bluzë ushtarake dhe një mesazh sfidues për Uashingtonin: “Ne jemi gati për çdo gjë – edhe për luftë.”
“E mendojnë veten si zotër të botës,” u ankua Meléndez për administratën Trump dhe fushatën e saj të presionit kundër qeverisë së Venezuelës. “Por nëse guxojnë të vijnë këtu, do t’i presim siç e meritojnë.”
Duke mbikëqyrur një stërvitje emergjente në stacionin La Rinconada – një simulim për një sulm kibernetik imagjinar ndaj metrosë së Karakasit – Meléndez përsëriti thirrjet për rezistencë kombëtare. Ushtrimi ishte pjesë e një fushate të gjerë përgatitore të urdhëruar nga Presidenti Nicolás Maduro, në kohën kur SHBA intensifikon kërcënimet ndaj regjimit të tij.
Që nga gushti, kur Trump firmosi një urdhër sekret për veprime ushtarake ndaj karteleve të drogës në Amerikën Latine, Shtëpia e Bardhë ka ecur përtej retorikës:
-Ka etiketuar Maduron si një “narko-terrorist në arrati”
-Ka ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij
-Ka vendosur marina dhe luftanije përballë brigjeve të Venezuelës
-Dhe ka ndërmarrë të paktën katër goditje vdekjeprurëse ndaj varkave të dyshuara për trafik droge, duke shkaktuar mbi 21 viktima.
Javën e kaluar, Trump e çoi edhe më tej tensionin duke shpallur një “konflikt të armatosur jo ndërkombëtar” ndaj karteleve, anëtarët e të cilëve tani konsiderohen “luftëtarë të paligjshëm”.
Sipas Uashingtonit, këto veprime janë pjesë e një beteje kundër trafikut të drogës që, sipas tyre, kontrollohet nga Maduro. Në një fjalim në OKB, Trump i quajti këta trafikantë “armiq të njerëzimit” dhe premtoi se do t’i “fshinte nga faqja e dheut”.
Por shumë analistë besojnë se fushata antidrogë është vetëm pretekst për rrëzimin e regjimit të Maduro-s – qoftë përmes rebelimit të brendshëm, qoftë përmes ndërhyrjes ushtarake direkte.
Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez tha për New York Times se është e bindur se “ndryshimi i regjimit” është një nga objektivat strategjikë të Trumpit. “Nuk do ta dorëzojmë kurrë atdheun tonë,” tha ajo, duke paralajmëruar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në rast sulmi amerikan.
Mesazhet e luftës nuk mungojnë as nga zyrtarë të tjerë të regjimit. Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, shfaqet në televizione me një kopje të kometuar të librave të Ho Chi Minh-it, duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane do të përfundonte në një moçal të përgjakshëm si në Vietnam.
Sipas analistit të Crisis Group, Phil Gunson, nuk ka të dhëna që Trump ka plane të menjëhershme për të goditur Fort Tiuna – bazën ushtarake ku mendohet se jeton Maduro. Por bombardimi i objekteve bërthamore të Iranit nga SHBA në qershor ka alarmuar realisht udhëheqësit venezuelianë.
Në një letër drejtuar presidentit amerikan, Maduro u përpoq të ulë tensionet: “Ju ftoj me respekt, zoti President, të promovoni paqen përmes dialogut konstruktiv dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në të gjithë hemisferën.”








