Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu ukrainas Volodymyr Zelenskyy kanë dalë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ku folën për mundësinë e një takimi trepalësh me presidentin rus Vladimir Putin.
Trump tha se ekziston një “shans i arsyeshëm” për t’i dhënë fund luftës nëse zhvillohet një samit SHBA–Ukrainë–Rusi. “Mendoj se do të kemi një takim. Nëse gjithçka shkon mirë sot, do të kemi një trilateral dhe mendoj se ka një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës,” u shpreh ai, duke fajësuar paraardhësin Joe Biden për shpërthimin e konfliktit.
Nga ana e tij, Zelenskyy u shpreh se është “gati për një takim trepalësh” dhe se një format i tillë “do të ishte shumë i mirë”.
Trump gjithashtu konfirmoi se SHBA do të përfshihet në garancitë e sigurisë për Ukrainën, duke theksuar: “Do të ketë shumë ndihmë kur të vijë puna te siguria. Ata janë vija e parë e mbrojtjes, por ne do t’i ndihmojmë. Ne do të jemi të përfshirë.”
Megjithatë, presidenti amerikan nuk sqaroi nëse kjo do të nënkuptonte përfshirjen e trupave amerikane, çka sinjalizon një lëvizje të re në krahasim me qëndrimet e tij të mëparshme.











