Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani nuk arriti të zhvendosë asnjë pjesë të uraniumit të pasuruar përpara se SHBA-të të godisnin objektet e tij bërthamore, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një intervistë për Fox News të dielën, Trump hodhi poshtë raportet se Teherani mund të ketë shpëtuar pjesë të rezervave të tij bërthamore.
“Ata nuk lëvizën asgjë,” tha ai, duke shtuar se sulmet nuk ishin paralajmëruar, prandaj Irani nuk kishte kohë të përgatitej.
Trump shpjegoi se transportimi i uraniumit të pasuruar është proces shumë i vështirë dhe i rrezikshëm për shkak të peshës dhe ndjeshmërisë së materialit.
Ai gjithashtu tha se në njërin nga objektet iraniane të goditura, që e përshkroi si “i thellë”, janë parë punëtorë që përpiqeshin të betononin hyrjet për të parandaluar depërtimin e bombave.
“Armët tona kaluan përmes hyrjeve si gjalpë,” deklaroi presidenti amerikan.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Irani posedon mbi 400 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%, sasi që mund të përdoret për ndërtimin e disa bombave nëse pasurohet në 90%.
Teherani insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, por shqetësimet ndërkombëtare për aftësitë bërthamore të Iranit janë rritur ndjeshëm kohët e fundit.






