Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ekipi i tij po shqyrtojnë mënyrat për të “përvetësuar” Groenlandën, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka pranuar se përdorimi i ushtrisë amerikane “është gjithmonë një mundësi në tavolinë”.
Deklaratat vijnë në një moment tensioni të shtuar ndërkombëtar, pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë dhe kapjes së Nicolás Maduros, që sipas diplomatëve evropianë ka rritur shqetësimin për gatishmërinë e Uashingtonit për veprime të papritura dhe të ashpra.
Në një përgjigje për agjencinë Reuters, Shtëpia e Bardhë tha se “blerja e Groenlandës është një përparësi kombëtare sigurie për SHBA-në dhe vendimtare për të penguar rivalët në Arktik”. Skenarët që po shqyrtohen përfshijnë blerjen e drejtpërdrejtë ose një marrëveshje të lidhjes së lirë me ishullin.
Një zyrtar i lartë amerikan pohoi se Trump dëshiron ta përmbyllë këtë çështje brenda mandatit të tij aktual, pavarësisht kundërshtimeve nga aleatët e NATO-s.
Danimarka reagoi menjëherë, duke kërkuar takim zyrtar me Sekretarin Amerikan të Shtetit Marco Rubio. Ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen siguroi mbështetje për NATO-n dhe mohoi zërat për prani të shtuar të anijeve ruse dhe kineze pranë Groenlandës.
Në një intervistë për NBC News, Trump theksoi se është “shumë serioz” për idenë e aneksimit. Nëse ndodh, do të ishte hera e parë në historinë e NATO-s që një shtet anëtar ndërhyn ndaj një tjetri, duke hapur një krizë të mundshme brenda aleancës.
SHBA ka tentuar të blejë Groenlandën tre herë më parë: në vitin 1867 (pas blerjes së Alaskës), në vitin 1946 (me ofertë zyrtare prej 100 milionë dollarësh) dhe në vitin 2019 kur Trump e propozoi publikisht, duke shkaktuar prishjen e marrëdhënieve me Kopenhagenin. Në të gjitha rastet, përgjigjja e Danimarkës ishte “jo”.








