Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, u nisën drejt Alaskës të premten për një takim ballë për ballë dhe bisedime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.
“Shikoni, ai është një djalë i zgjuar. [Ai] e ka bërë këtë prej kohësh, por edhe unë po ashtu”, u tha Trump gazetarëve pak pasi u nis nga një bazë ajrore në Uashington.
“Ne kalojmë mirë. Ka një nivel të mirë respekti nga të dyja palët. Dhe, mendoj se diçka do të dalë nga ky takim”, shtoi Trump.
Megjithëse dy liderët kanë folur të paktën pesë herë që nga kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar, takimi në Alaskë do të jetë i pari ballë për ballë.
Takimi i sotëm – pjesë e të cilit nuk do të jenë ukrainasit – do të mbahet në një bazë ajrore pranë Anchorage, dhe po del të jetë vendimtar për ukrainasit e rraskapitur nga lufta, për synimet e Trumpit për të bërë paqe dhe për përpjekjet e Putinit për ta riformuar pozitën e Rusisë në skenën botërore.
“Ne kemi besim në SHBA-në. Jemi gati, si gjithmonë, të punojmë sa më produktivisht që të jetë e mundur”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Telegram, pasi Trumpi u nis drejt Alaskës.
“Gjëja kryesore është që ky takim ta hapë një rrugë të vërtetë drejt paqes së ndershme dhe bisedimeve thelbësore mes liderëve në një format trepalësh: Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia” shkroi Zelensky.
Udhëheqësit evropianë, të cilët gjithashtu janë lënë jashtë bisedimeve, janë të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i minojnë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.
Për rusët, simbolika që Putini po takohet në tokën amerikane – madje në territor që dikur ishte nën kontrollin e Rusisë – është një fitore e vogël në vete. Mundësia e Putinit për të udhëtuar jashtë vendit është e kufizuar nga një fletarrestim për krime lufte i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, dhe Perëndimi e ka shndërruar atë në njëri të padëshiruar për shkak të luftës së tij të paprovokuar kundër Kievit.
Për shumëkënd, bisedimet e drejtpërdrejta me Uashingtonin – duke e lënë Ukrainën jashtë bisedimeve për paqe – kujtojnë Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Britania pothuajse ndanë mes tyre Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Trump, i bindur në aftësitë e tij për të bërë marrëveshje, është gjithnjë e më i zhgënjyer nga pamundësia për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, e cila sipas vlerësimeve perëndimore ka vrarë ose plagosur mbi 1 milion ushtarë rusë. Humbjet e Ukrainës gjithashtu janë qindra mijëra.
“Unë jam president dhe ai nuk do të tallet me mua”, tha Trump.
“Nëse është një takim i keq, do të mbyllet shumë shpejt, dhe nëse është një takim i mirë, ne do të arrijmë paqen në një të ardhme shumë të afërt”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 14 gusht.
Gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të Kremlinit, Putini – i cili ka takuar zyrtarisht pesë presidentë të ndryshëm gjatë 25 vjetëve si figura kryesore politike e Rusisë – më 14 gusht shfaqi optimizëm për takimin dhe sugjeroi se një marrëveshje e re për kontrollin e armëve mund të jetë në proces.
Shtëpia e Bardhë po bën “përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndaluar armiqësitë” dhe për të “arritur marrëveshje që janë me interes për të gjitha palët e përfshira”, tha Putini në një video të postuar nga Kremlini.
Një numër gjithnjë e më i madh traktatesh dypalëshe për kontrollin e armëve bërthamore – që mbulojnë arsenalet më të mëdha në botë – janë shpërbërë për shkak të mosmarrëveshjeve mes Uashingtonit dhe Moskës. I fundit i madh, New START, pritet të skadojë javën e ardhshme.






