Funerali i themeluesit të Revolucionit Iranian, Ajatollah Ruhollah Khomeini, ishte më shumë një farsë se sa një tragjedi. Megjithatë ai mbolli tek regjimi i Teheranit frikën nga turmat. Ishte qershori i vitit 1989, një periudhë kur regjimet komuniste në Evropën Qendrore dh Lindore, ishin në grahmat e tyre të fundit.
Në veri të Teheranit, ishin mbledhur më shumë se 1 milion njerëz për të nderuar kujtimin e Ajatollahut 89-vjeçar, të mbështjellë me një qefin të bardhë, dhe të vendosur në një kuti xhami me ajër të kondicionuar. Pasoi një kaos vajtimesh të çmendura.
Ndërsa turma e njerëzve që rrihte gjoksin e tyre në mënyrë histerike u rrit në mbi 7 milionë, regjimi vendosi ta vononte varrimin, dhe ta parakalonte arkivolin nëpër rrugë me një helikopter, të cilin më pas e çoi në varrezat “Parajsa e Zahras” në jug të qytetit. Në një moment, trupi doli aksidentalisht nga arkivoli, ndërsa vajtuesit në kërkim të relikteve grisën copa të qefinit të tij.
Nuk është e çuditshme pse ka nervozizëm ndaj një tjetër vdekje të pritshme: ajo e Ali Khameneit, pasuesit të Khomeinit si Udhëheqësi Suprem i Iranit. Khamenei është 85 vjeç dhe thuhet se po përballet me një sëmundje kanceroze.
Nëse vdes gjatë vitit që vjen, funerali i tij mund të jetë një nga tre ceremonitë mortore që do të ndryshojnë panoramën e Lindjes së Mesme. Mund të jetë ndoshta jo shumë më vend të merret në konsideratë ndryshimi i nxitur nga shkaqe natyrore, në një kohë kur pjesa më e madhe e rajonit duket se ka qenë e zhytur në gjak nga luftërat që pasi kanë filluar, nuk duket se kanë pushuar kurrë: Gaza, Libani , Siria.
Megjithatë, edhe nën regjimet më shtypëse, shohim të rinj që dëshirojnë një shkëputje nga e kaluara, një ripërtëritje të shoqërisë që nuk e braktis plotësisht traditën. Zhgënjimi i tyre është me të vjetrën dhe të paprekshmit, me korrupsionin e strukturave të pushtetit, që përgjatë shumë dekadave ndërmori vetëm ndryshime simbolike.
Pra në dyshim nuk po vihet vetëm mençuria e Udhëheqësit Suprem të Iranit – e gjithë ideja e një vargu milicish private, që e mbrojnë Iranin nga sulmet e ardhshme, është rrënuar para syve të tij – por edhe e mbretit Salman të Arabisë Saudite, sot 88 vjeç. Ndërsa në territoret palestineze, është Mahmud Abbas, 89 vjeç.
Të gjithë ata janë me një këmbë në varr. Dhe që të tre po e bllokojnë rrugën drejt modernizimit. Gjithçka që ndodh përreth tyre në këtë moment, është si një kundërpërgjigje ndaj paaftësisë së tyre në rritje, dhe reflekton mungesën e një trashëgimie të rregullt.
Natyrisht, funerali i ardhshëm në Iran nuk ka gjasa të jetë aq çmendurak sa ai i vitit 1989. Së pari, planifikimi i tij do të jetë pjesërisht në dorën e djalit dhe krahut të djathtë të Khameneit, Mojtaba. Ai ka lidhje të ngushta me komandantët e Gardës Revolucionare dhe luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e milicive Basij, që e shtypën përpjekjen e vitit 2009 për një kryengritje popullore.
Ai do të luajë një rol kyç në çdo krizë të mundshme mbi pasardhësin. Mojtaba Khamenei është një akademik i lartë në seminarin Qom, por nuk është ende një Ajatollah. Pra nuk ka dëshmi të një ekspertize teologjike të niveli të lartë. Ndaj është e dyshimtë nëse Kuvendi i Ekspertëve do të pranojë ta zgjedhë atë si Udhëheqësin Suprem.
Dilema do të jetë rreth asaj se kush mund ta ruajë Iranin si një regjim teokratik. Shumëçka do të varet nga fakti nëse Mojtaba do të arrijë ta bindë elitën, se Irani po përballet me një krizë ekzistenciale, e cila duhet të menaxhohet me shkathtësi, nëse vendi dëshiron që t’i qëndrojë besnik ambicieve të tij për të qenë fuqia qendrore dhe udhëheqëse e shiizmit në rajon.
Nëse Mojtaba e fiton këtë debat, homologu i tij në Arabinë Saudite do të jetë Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, të cilit i janë dhënë (ose i ka marrë vetë) kompetenca të paprecedenta. Ai po sillet gjithnjë e më shumë si të ishte një regjent.
Babai i tij, duket se e ka pranuar atë si forcën lëvizëse në mbrojtje të mbretërisë saudite dhe të një transformimi shoqëror shumë të madh, duke i dhënë të rinjve një rol më të madh në të ardhmen e mbretërisë. Prandaj, varet tashmë nga Mohammed se sa larg duhet të shkojnë sauditët për frenimin e Iranit.
Me Izraelin, në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit, apo në mënyrë të pavarur brenda një marrëdhënieje të veçantë të zgjeruar me administratën Trump? Në këtë aspekt, Izraeli varet ende nga mbreti, i cili këmbëngul për krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Ndërsa edhe në lidhje me Iranin, i takon Princit saudit të Kurorës që të gjykojë nëse një Udhëheqës i ri Suprem në Teheran përbën një kërcënim të menjëhershëm për Riadin, apo nëse është e mundur një bashkë-ekzistencë. Fati i një gare të mundshme armësh bërthamore midis Iranit dhe Arabisë Saudite, do të vendoset vetëm pas dy funeralesh.
Ndryshimi i tretë politikisht i rëndësishëm, ka të ngjarë të jetë ai i Abbas, kreut të Autoritetit Palestinez, udhëheqës i Fatahut, në pushtet që nga viti 2005, një lider i korruptuar, manipulues zgjedhjesh, që pavarësisht moshës së tij të madhe, dëshiron të ketë një rol në qeverisjen e Gazës së pasluftës.
Në dallim nga Arabia Saudite, ku ekziston një proces trashëgimie – edhe pse Princit Mohammed mund t’i duhet të luftojë ndaj rivalëve – por edhe Irani, lideri palestinez beson se mund të sundojë përgjithmonë në pushtet. Bie në sy një pasardhës i mundshëm i tij: Marwan Barghouti, 65 vjeç, që i ka kaluar 22 vitet e fundit në një burg izraelit i akuzuar për 5 vrasje.
Ai ka mbajtur atje një qëndrim sfidues, duke udhëhequr të burgosurit palestinezë në një grevë urie. Por ka mësuar hebraisht, dhe mbështetësit e tij thonë se ai do të siguronte një qeverisje më pak të korruptuar dhe do ta mbante larg Hamasin. A mund të merren vesh sauditët me të?
Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me daljen nga skena të disa pleqve ambiciozë. Edhe udhëheqësit e rinj, nuk arrijnë shpeshherë që të kuptojnë si duhet konfliktet. Presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad është ende vetëm 59 vjeç, dhe prej gati një çerek shekulli ua ka bërë jetën ferr qytetarëve të vendit të tij.
Ndoshta pensionimi i tij i detyruar, mund të kontribuojë në një riformatim të mirë të Lindjes së Mesme, pikërisht në vitin e 3 funeraleve.






