Një incident i rëndë është regjistruar në kategoritë e ulëta të futbollit femëror në Itali, konkretisht në kampionatin Promozione, Grupi B.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ndeshjes së javës së 28-të mes skuadrave Gropelo San Xhorxho dhe Eva Milano, ku situata në fushë ka dalë jashtë kontrollit. Sipas denoncimit të bërë nga ekipi mik, tensionet nisën pas një ndërhyrjeje ndaj lojtares me numër 9, Kiara D’Ambrosio. Futbollistja kundërshtare u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë ekipin e saj me dhjetë lojtare.
Vendimi i arbitrit shkaktoi reagim të menjëhershëm nga pankina e skuadrës vendase, e cila hyri në fushë për të protestuar. Në këtë moment, situata u përshkallëzua ndjeshëm.
Sipas pretendimeve të skuadrës Eva Milano, në drejtim të lojtareve pati fyerje të vazhdueshme, ndërsa trajneri i Gropelo San Xhorxho dyshohet se ka shtyrë kapitenen e ekipit kundërshtar, duke e rrëzuar në tokë. Pas këtij episodi, tensionet u përhapën si brenda, ashtu edhe jashtë fushës, duke prodhuar skena të rënda që bien ndesh me frymën sportive.









