Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një grua 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Rrethanat e zbuluara në vendngjarje kanë ngritur dyshime se ajo ka pësuar vdekje të dhunshme, ndërsa nën dyshimin për vrasjen e saj është arrestuar bashkëshorti.
Burimet bëjnë me dije se viktima është Liza Dushi 80-vjeçare, ndërsa i dyshuari është bashkëshorti i saj, Bardhi Dushi 81-vjeçar
Rasti është raportuar rreth orës 01:30 në rrugën “Rifat Ukimeri” në Prizren, ku pas informatës së pranuar, njësitë policore dhe ekipi i Urgjencës kanë dalë menjëherë në vendngjarje.
Mjekët kanë konstatuar vdekjen e 80-vjeçares, ndërsa në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor.
Hetimet e para kanë zbuluar rrethana që e kanë orientuar rastin drejt dyshimeve për një krim të rëndë.
Në vendngjarje kanë dalë hetuesit policorë, ekipi i kriminalistikës, hetuesit e vdekjes nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, si dhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë shikimit të jashtëm të trupit të Liza Dushit janë evidentuar lëndime dhe rrethana të tjera që kanë ngritur dyshimin e bazuar se vdekja e saj ishte e dhunshme.
Të dhënat fillestare tregojnë se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë fizike, përkatësisht me duar, ndërsa deri më tani nuk ka dëshmi për përdorimin e ndonjë arme apo mjeti.
Një element me rëndësi për hetimin është edhe fakti se, sipas të dhënave policore, në kohën e incidentit çifti ndodhej vetëm në shtëpi.
Bardhi Dushi është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorisë Themelore, është ndaluar për 48 orë.
Në evidencat e Policisë, sipas informacioneve të rastit, nuk rezultojnë raste të mëhershme të raportuara të dhunës në familje mes çiftit.
Trupi i pajetë i Liza Dushit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku obduksioni pritet të japë përgjigjen përfundimtare mbi shkakun dhe mënyrën e vdekjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë”, ndërsa motivi mbetet ende i panjohur.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur atë që ndodhi gjatë natës brenda shtëpisë së çiftit dhe rrethanat që çuan në vdekjen tragjike të Liza Dushit.








