Një ngjarje tmerri ka tronditur kantonin e Friburgut në Zvicër mbrëmjen e së martës, ku një autobus postar (Car Postal) u përfshi nga flakët në Chiètres. Sipas informacioneve të fundit nga policia kantonale, të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë lënduar, tre prej tyre në gjendje të rëndë.
Në njoftimin e fundit të autoriteteve, dyshimet për një “akt vullnetar” janë përforcuar me detaje rrëqethëse.
Raportohet se tragjedia dyshohet të ketë nisur kur një person është lyer me benzinë dhe i ka vënë flakën vetes, duke shkaktuar kështu edhe djegien e menjëhershme të autobusit ku ndodheshin pasagjerët e tjerë.
Zjarri shpërtheu rreth orës 18:25 në rrugën “Murtenstrasse”. Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje gjetën mjetin të shkrumbuar plotësisht. Një helikopter i “Rega”-s dhe disa ambulanca transportuan të lënduarit në spital, ndërsa një shpëtimtar po ashtu mori lëndime gjatë përpjekjes për të nxjerrë pasagjerët nga flakët.
Prokuroria Publike e Friburgut ka nisur një hetim penal për të konfirmuar dinamikën e ngjarjes dhe identitetin e personit që dyshohet se shkaktoi zjarrin. Për familjarët, autoritetet kanë vënë në dispozicion linjën emergjente: 0800 261 700.
Një konferencë e re për medie do të mbahet sot në orën 14:00 për të dhënë informacione të detajuara mbi gjendjen e të lënduarve dhe gjetjet e para të hetuesisë.









