Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Gjakovë, ku një i ri ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në vendin e tij të punës.
Burimet e Gazetës brenda emergjencës bëjnë me dije se rreth orës 21:50 është sjellë në gjendje të rëndë shëndetësore një person i lënduar rëndë në fabrikën e tullave “IMN Dukagjini”, në rrugën “Gjergj Sokoli”.
Viktima është identifikuar si B.Z. 21 vjeç, i cili për shkak të plagëve të rënda është transferuar urgjentisht nga Emergjenca e Gjakovës në QKUK, ku, fatkeqësisht, rreth orës 00:20, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Policia dhe të gjitha njësitë relevante janë mobilizuar menjëherë, ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion. Rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Hetimet janë në zhvillim për të zbuluar shkaqet dhe përgjegjësitë e mundshme për këtë humbje të rëndë jete.






