Një ngjarje e rëndë është regjistruar në plazhet e Otrantos në Itali, ku një 54-vjeçar ka humbur jetën pasi arriti të shpëtojë dy fëmijët e tij binjakë nga rrymat e forta detare.
Sipas raportimeve, incidenti ndodhi në mëngjesin e së shtunës, rreth orës 11:30, kur për shkak të kushteve të vështira atmosferike me erë të fortë, fëmijët u tërhoqën nga rrymat dhe u larguan nga bregu.
Babai u hodh menjëherë në det dhe arriti t’i nxjerrë fëmijët në siguri, duke shmangur një tragjedi më të madhe.
Megjithatë, pasi doli në breg, ai u ndje papritur keq dhe u rrëzua pa ndjenja. Viktima është identifikuar si Gennaro Cagnazzo nga zona e Leçes.
Përpjekjet për reanimim nga pushuesit dhe ekipet e emergjencës rezultuan të pasuksesshme, ndërsa autoritetet dyshojnë se ai ka pësuar një arrest fatal pas sforcimit fizik gjatë shpëtimit.








