Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse ka goditur qytetin e qetë të Aurillac në Francën jugperëndimore, duke lënë pas një bilanc të frikshëm: 24 persona të plagosur, prej të cilëve tre në gjendje kritike. Sulmi, i përshkruar nga autoritetet si “i paprecedentë në brutalitetin dhe intensitetin e tij”, ndodhi të dielën në mëngjes dhe zgjati për gati 30 minuta.
Sipas prefekturës Cantal, një tufë e madhe bletësh ka sulmuar kalimtarët në mënyrë agresive në një zonë të populluar të qytetit. Zjarrfikësit dhe ekipet emergjente reaguan me shpejtësi, duke dhënë ndihmën e parë në vendngjarje, ndërsa policia rrethoi zonën për të parandaluar përhapjen e panikut dhe për të shmangur viktima të tjera.
🔊
Mes të plagosurve ishte edhe një burrë 78-vjeçar, i cili pësoi arrest kardiak si pasojë e pickimeve të shumta. “Ai u rikthye në jetë përmes CPR-së,” deklaroi kryebashkiaku Pierre Matonnier për BFM TV, duke shtuar se gjendja e tre të plagosurve në gjendje kritike është stabilizuar tashmë.
Por çfarë qëndron pas këtij episodi surreal? Kryebashkiaku Matonnier ka hedhur dritë mbi një skenar të çuditshëm që ka përfshirë… një koshere bletësh e instaluar më shumë se dhjetë vite më parë mbi çatinë e një hoteli në qytet. “Dyshohet se grerëzat kanë sulmuar kosheren, duke shkaktuar një reagim agresiv dhe të dhunshëm të bletëve”, sqaroi Matonnier. Bletari që kujdesej për kosheren e ka zhvendosur atë menjëherë pas incidentit.
🔊
Ndërsa qyteti ende përpiqet të rikuperohet nga trauma, kreu i departamentit të zjarrfikësve, toger Michel Caillat, deklaroi: “Në karrierën time nuk kam parë kurrë një situatë kaq të rëndë. Paniku, numri i lëndimeve dhe egërsia e sulmit ishin vërtet tronditëse.”
Autoritetet po kryejnë hetime për të kuptuar se si mund të shmanget një incident i ngjashëm në të ardhmen, ndërsa ngjarja ka ngritur debat mbi sigurinë e vendosjes së kosherëve në mjedise urbane dhe ndërhyrjen e grerëzave si shkak i destabilizimit të ekosistemeve të ndjeshme.






