Deputetja e Aleancës-së, Time Kadrijaj, ka marrë pjesë në aksionin e sotme të zhvilluar para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit dhe funksionalizimi i institucioneve.
Nga aksioni, Kadrijaj ka kërkuar respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Po kërkojmë të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, po kërkojmë të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka caktuar se cilat janë periudhat që duhet të konstituohet Kuvendi. Askush nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ajo ka kritikuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se “nuk është mbi ligjin”.
“Mbi ligjin nuk është as Albin Kurti, i cili po mendon se është njëfarë shefi që mund t’i interpretojë ligjet e Kushtetutës siç do vetë”, është shprehur ajo.
Kadrijaj ka paralajmëruar se aksionet e tilla do të vazhdojnë dhe se ato mund të jenë edhe më masive nëse, sipas saj, nuk ndërmerren hapa për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“Ne nuk do të ndalemi. Duhet sa më shpejt të mblidhet salla e Kuvendit. Nuk ka më kthim prapa. Nëse Albin Kurti vazhdon me këtë avaz, edhe ne do të vazhdojmë me protesta që do të jenë edhe më masive”, ka përfunduar Kadrijaj.








