Time Kadriaj: Aksioni me vezë ndaj Kurtit ishte spontan, nuk kishte skenar tjetër

Deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, ka deklaruar se hedhja e vezëve ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një prej seancave të Kuvendit të Kosovës, ka qenë një aksion spontan dhe jo pjesë e ndonjë skenari të parapërgatitur.


Kadriaj tha se nëse atë ditë do të ishte bërë konstituimi i Kuvendit, ajo nuk do ta kishte ndërmarrë një veprim të tillë.

Sipas saj, aksioni ishte simbolik dhe kishte për qëllim kundërshtimin e, siç u shpreh ajo, mosrespektimit të Kushtetutës.

“Aksioni im ka qenë krejt spontan. Nëse atë ditë do të ndodhte konstituimi i Kuvendit, s’ka pasur gjuajtje me vezë e as skenar tjetër. Kam marrë një aksion simbolik me kushtin që ky njeri ta respektojë Kushtetutën e Kosovës. S’ka pasur skenar tjetër dhe është manipulim, po e shfrytëzojnë këtë manipulim për mos-thirrjen e seancës”, ka deklaruar Kadriaj.

Deklarata e saj vjen pas qëndrimit të kryesuesit të seancës konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, i cili ka bërë thirrje partive politike që të ulen në dialog dhe të gjejnë një marrëveshje për zhbllokimin e situatës institucionale.

Dehari ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje politike mund të rrisë tensionet dhe të çojë edhe në përplasje fizike brenda Kuvendit. Ai ka theksuar gjithashtu se një situatë e tillë mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Deharit, pas qëndrimit të ri të LDK-së, duhet të shfrytëzohen ftesat për takime dhe konsultime politike, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.

Ai ka bërë thirrje që partitë politike të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë një zgjidhje politike, duke vlerësuar se qytetarët e Kosovës tashmë janë përballur disa herë me zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër.


Kadriaj, ndërkaq, e ka cilësuar si “manipulim” arsyetimin se mos-thirrja e seancës lidhet me rrezikun e përplasjeve në Kuvend, duke insistuar se veprimi i saj me vezë nuk ka qenë pjesë e ndonjë skenari të planifikuar.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit