Zbardhen detaje të reja nga telefonata që Presidenti Donald Trump pati dje me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas mediave ndërkombëtare, presidenti amerikan i ofroi menjëherë një takim të trefishtë, ku do të merrnin pjesë ai, Putin dhe Zelensky, por sipas burimeve nga Politico, Putin e refuzoi duke deklaruar se dëshironte të takohej vetëm me presidentin ukrainas: “Ti nuk ke pse të vish, dua ta shoh ballë për ballë”.
Por Ukraina “e hodhi poshtë menjëherë” propozimin, tha për BBC- në Dmytro Lytvyn, një këshilltar i Volodymyr Zelensky, duke konfirmuar lajmin.
Megjithatë një zyrtar i lartë i administratës Trump bëri me dije se ekipi i presidentit amerikan ka nisur menjëherë përgatitjet për një takim trepalësh. Steve Witkoff, sipas burimeve, është caktuar të koordinojë dhe realizojë takimin, duke nënkuptuar se administrata amerikane e sheh si një mundësi strategjike për të lehtësuar dialogun mes dy liderëve.
Sipas raportimeve të Axios, gjatë bisedës Putin përmendi edhe mundësinë që Kina të veprojë si garant i një marrëveshjeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Ky element tregon se lideri rus po shqyrton mënyra për të rritur besueshmërinë e një marrëveshjeje eventuale në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë edhe fuqinë globale të Pekinit.
Gjithashtu, Trump e këshilloi Putinin të jetë realist në bisedimet me Zelenskyn, duke i theksuar rëndësinë e dialogut mbi çështjet territoriale. Ky këshillim vjen në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe çdo hap drejt bisedimeve direkte shihet si kritik për stabilitetin e mëtejshëm.
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë se një takim i drejtpërdrejtë mes Putinit dhe Zelenskyt mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në qasjen diplomatike, por paralajmërojnë se sfidat mbeten të mëdha, veçanërisht për garancitë ndërkombëtare dhe angazhimet e palëve për zbatimin e çdo marrëveshjeje të mundshme.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre perëndimorë po përpiqen të mbajnë një rrjet diplomatik që të mundësojë negociata të sigurta dhe të qëndrueshme mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërkohë që situata në terren mbetet e ndërlikuar dhe e paqëndrueshme.










