Në zemër të Kentakit, pas dyerve të blinduara të Fort Knox, qëndron një nga depot më të sigurta dhe më të mitizuara të pasurisë globale. Por në vitin 2025, ajo që dikur konsiderohej si bastioni i arit dhe besimit ndërkombëtar, po shihet gjithnjë e më shumë si një simbol i një epoke që po merr fund.
Gjermania ka vite që kërkon kthimin e arit të saj të depozituar në Shtetet e Bashkuara. Italia, deri më tani e heshtur, po e rihap debatin me zë të ulët, por që po tingëllon gjithnjë e më fort, sipas “Corriere Della Sera”. Në vitin 2019, vetë Giorgia Meloni, atëherë në opozitë, shpërndante në Facebook thirrjen e qartë: “Rimpatriare subito l’oro italiano!” (Kthejeni menjëherë arin italian në atdhe!). Tani që është kryeministre dhe aleate e deklaruar e Washingtonit, nuk e përsërit më publikisht, por atmosfera gjeopolitike ia bën të pashmangshme pyetjen: a është më e sigurt Amerika për rezervat tona?

Pse Europa po tërheq arin nga SHBA?
Në kasafortat e Federal Reserve në New York, ndodhen mbi 245 miliardë dollarë në ar që i përkasin vendeve si Gjermania dhe Italia. Berlini ruan aty një të tretën e rezervave të saj (të dytat më të mëdha në botë pas SHBA-së), ndërsa Italia ka pothuajse gjysmën e thesarit të vet.
Ky besim i dikurshëm në Federal Reserve është zbehur. Jo vetëm për shkak të tensioneve gjeopolitike, por edhe për shkak të politikave monetare të paparashikueshme në epokën e Donald Trump. Kërcënimet ndaj pavarësisë së Fed-it, sulmet ndaj institucionit dhe tensionet me elitat financiare po e bëjnë gjithnjë e më të diskutueshme idenë se arin e Evropës duhet ta ruajë Amerika.

Fort Knox: mit, realitet dhe mister
Fort Knox, ndryshe nga Federal Reserve, është një bazë ushtarake e blinduar ku ndodhen mbi 4.500 ton ar, pasuri që teorikisht i përket SHBA-së. Vendndodhja është aq e sigurt sa edhe vetë presidentët amerikanë kanë hyrë aty shumë rrallë. Sipas disa raporteve, dera e çelikut që mbron thesarin peshon mbi 20 ton dhe nuk mund të hapet pa praninë e një grupi zyrtarësh që dinë secili vetëm një pjesë të kodit.

Por misteri që rrethon Fort Knox ka lindur pikërisht nga mungesa e transparencës. Askush nuk ka konfirmuar ndonjëherë në mënyrë të pavarur sasinë ekzakte të arit. Kjo ka ushqyer dyshimet dhe teoritë konspirative, por së fundmi po ngre edhe shqetësime të arsyeshme politike: A është vërtet i sigurt ari që vendet tona kanë në SHBA? Dhe nëse jo, a mund të kthehet me kohë, në një krizë globale?
Kthimi i arit, çështje sovraniteti
Gjermania nisi pjesërisht rikthimin e rezervave të saj në vitin 2013, duke rikuperuar mbi 300 ton ar nga Nju Jorku dhe Parisi. Procesi u bë në heshtje dhe gradualisht. Sot Berlini nuk beson më verbërisht te garancitë amerikane dhe synon të ketë kontroll më të drejtpërdrejtë mbi rezervat kombëtare.

Italia, me 2.452 ton ar, është vendi i tretë në botë për sasi, por aktualisht nuk ka një strategji të qartë për kthimin e tij. Heshtja e Melonit për çështjen është politike, por jo domosdoshmërisht strategjike. Nëse bota zhytet në një konflikt të madh, si ai i përfolur SHBA-Iran apo një krizë në Tajvan, siguria e asaj pasurie bëhet jo vetëm çështje financiare, por edhe gjeopolitike.
Reagimet politike në Europë
Kërkesat ndaj Gjermanisë dhe Italisë për të kthyer arin në atdhe janë shtuar, të ushqyera edhe nga shqetësimet e ngritura nga Fabio De Masi, ish-eurodeputet i partisë së majtë gjermane Die Linke dhe tani anëtar i partisë së majtë ekstreme BSW. De Masi ka theksuar se ka “argumente të forta” në favor të rikthimit të rezervave, duke e konsideruar çështjen si një temë që lidhet me sigurinë kombëtare dhe sovranitetin monetar.
“Ari është një burim strategjik dhe duhet ruajtur me kujdes maksimal, sidomos në një periudhë pasigurie gjeopolitike në rritje”, deklaroi politikani italo-gjerman, bir i një sindikalisti të CGIL dhe nip i një partizani.
Edhe Michael Jäger, president i Shoqatës Europiane të Tatimpaguesve, ka ngritur shqetësime në këtë drejtim:
“Jemi shumë të shqetësuar se Trump mund të ndërhyjë në pavarësinë e Federal Reserve.”






